Duket se shqetësimi i banorëve të disa fshatrave shqiptare në veri, po del të jetë i panevojshëm, pasi shenjat që ata i quanin të çuditshme, nuk janë të tilla.
Metro ka biseduar me tre persona që i kanë vendosur këto shenja nëpër disa fshatra të Mitrovicës, dhe ata kanë një shpjegim për këtë.
Siç thonë ata, këto pika janë vendosur që të bëhet fotografimi i Kosovës nga aeroplani, apo siç quhet quhet ‘aerofotografimi’, që bëhet me qëllim të krijimit të ortofotove të Kosovës, shkruan gazetametro.net.
“Ato s’kanë të bëjnë fare me kufirin apo me Serbinë, sepse pikën në fjale e kam vendosur unë personalisht, dhe për dijeni aty kanë qenë edhe 2-3 fshatarë që na kanë pa duke vendosur atë pike. Kemi pasur edhe autorizimin prej Agjensionit Kadastral të Kosovës, por unë nuk punoj më në kompaninë që ka kryer punët, prandaj nuk dëshiroj të dihet identiteti im”, ka thënë burimi për Metron.
Ndërkohë, ai shton se nuk ka vend për shqetësim të qytetarëve, pasi sipas tij nuk ka asnjë lidhje me atë se për çfarë po shqetësohen. Ai ka shtuar se pika të tilla ndodhen edhe në lagje afër qytetit, si Tavniku.
Metro i ka siguruar këto fotografi të Tavnikut dhe fshatrave të tjera të Mitrovicës ku ka pasur shenja të tilla që janë bërë me autorizim të Agjencionit Kadastral.
Mësohet se pika të tilla nëpër Mitrovicë mund të gjenden në fshatin Vllahi, Melenicë, në Tunelin e Parë dhe afër xhamisë në lagjen Tavnik.
Ndryshe, më herët u raportua se qytetarë të veriut të vendit ishin ndjerë të shqetësuar me këto shenja të cilat ata i lidhnin me bisedimet e fundit për korrigjim të kufirit.