Në Gjykatën e Apelit të enjten është mbajtur seanca në rastin ku ish-zyrtari policor Argjend Kastrati është dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 4 vjet burgim për aksidentin ku humbi jetën Zana Gjevukaj. Pala e dëmtuar kërkoi t’i ashpërsohet dënimi, ndërkaq mbrojtja zbutje të dënimit.
Seanca u mbajt para kolegjit të Apelit i përbërë nga Mehmet Ndrecaj- kreytar i kolegjit, Abdullah Ahmeti- gjyqtar referues dhe Ferit Osmani-anëtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtari Ahmeti njoftoi se kundër vendimit të Themelores, ankesë kanë parashtruar pala e dëmtuar me përfaqësueses avokatin Milot Neziraj. Ankesa u parashtrua për shkak të vendimit mbi dënimin.
Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Kastrati, avokatja Majlinda Sadikaj ka paraqitur ankesë kundër vendimit të Themelores për të gjitha bazat ankimore, me propozimin për ndyshimin e dënimit nga Apeli.
Prokuroria e Apelit, ka propozuar aprovimin e ankesës së palës së dëmtuar, ndërsa të akuzuarit Kastrati t’i shqiptohet dënim më i lartë, si dhe të refuzohet ankesa e të akuzuarit.
Në seancë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Neziraj deklaroi se në këtë rast Themelorja ka mbivlerësuar rrethanat lehtësuese në raport me pasojen fatale të shkaktuara. Ai kërkoi nga Kolegji i Apelit të aprovojë ankesën dhe të akuzuarit Kastrati t’i shqiptojë dënim më të lartë.
Ndërsa, avokatja Sadikaj deklaroi se si mbrojtje mbesin pranë ankesës së ushtruar, duke theksuar se dënimi prej 4 vitesh burgim është tepër i lartë dhe nuk përkon me rrethanat e këtij rasti. Propozoi ndryshimin e vendimit të Themelores që ndaj të mbrojturit të saj të shqiptohet dënim më i butë.