Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, i ka paralajmëruar autoritetet kosovare për pasoja nëse themelojnë Ushtrinë e Kosovës nëpërmjet ligjit.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën online Insajderi, Delawie ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar gjatë që Kosova të ketë ushtri, por nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe në konsultim me të gjitha komunitetet në Kosovë.
Diplomati amerikan ka thënë se ka qenë i habitur me propozimin e Presidentit Hashim Thaçi për ndryshimin e projektligjit të FSK-së, hap që për më tepër e ka bërë të ndihet i zhgënjyer marrë parasysh të gjithë përkushtimin e ShBA-ve për të ndërtuar kapacitetet aktuale të FSK-së.
Ambasadori amerikan po ashtu ka demantuar deklaratat e fundit të liderëve të Kosovës, Thaçit dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, të cilët kanë thënë se formimi i ushtrisë së Kosovës është duke ndodhur në koordinim të plotë me partnerët.
“Kjo nuk është ajo se si ne e parashikuam se do të ndodhë procesi. Kjo me të vërtetë nuk e pasqyron përmbajtjen e diskutimeve që ne kemi pasur me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në të kaluarën e afërt”, ka thënë ai.
“Ne punojmë shumë ngushtë në partneritet lidhur me këto çështje. Kjo është arsyeja pse disi u befasuam dhe u zhgënjyem kur ky projektligj u paraqit javën e kaluar sikur të kishte rënë nga qielli”.
Ambasadori Delawie ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë nismën për bërjen e ushtrisë në këtë kohë. Ka bërë thirrje që të reflektojnë për pasojat e mundshme nëse vazhdohet në mënyrën e propozuar javën e kaluar.
“Shpresoj se Qeveria e Kosovës do të ndalet dhe do të fillojë një përpjekje për të siguruar mbështetje të gjerë të bashkësive të Kosovës për këtë hap, dhe do të punojë ashtu siç ne gjithmonë e kemi diskutuar. Dhe sigurisht, Shtetet e Bashkuara me kënaqësi do të punojnë me njerëzit e Kosovës në atë çështje”, ka thënë Delawie.
Kur është pyetur se çfarë nënkupton me pasoja, ambasadori Delawie ka thënë: “E dini si, shpresoj se kurrë nuk do ta marr vesh këtë”.
Tutje, Ambasadori Delawie ka numëruar disa prej përkrahjeve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për ndërtimin e kapaciteteve aktuale të FSK-së.
Thotë se ShBA-të “mburren shumë” me punën që kanë bërë për FSK-në që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në këtë kontekst, ai thotë se vendi i tij nuk është kundër formimit të ushtrisë, por jo në mënyrën e propozuar.
“Qëndrimi ynë është se ky transformim duhet të ndodhë nëpërmjet një amendamenti kushtetues. Ky ka qenë qëndrimi ynë për një kohë të gjatë. Nëse shikoni uebfaqen tonë do të shihni dëshminë time para Senatit të SHBA-ve në vitin 2015 ku unë e thashë pikërisht këtë. Kjo është e rëndësishme sepse na ndihmon që të sigurohemi se të gjitha bashkësitë janë të përfshira në procesin shumë të rëndësishëm të vendimmarrjes. Pra, ne kemi punuar në këtë me vite”, ka thënë Delawie në këtë intervistë për Insajderin.
Javën e kaluar, presidenti Hashim Thaçi propozoi që misioni i FSK-së të ndryshohet përmes një projektligji të ri për këtë Forcë, meqë sipas tij, Kosova nuk mund të presë më gjatë komunitetin serb në Kosovë, që të pranojë ndryshimet kushtetuese.
Që nga ajo kohë, reagime të shumta kanë ardhur jo vetëm nga Ambasada amerikane, por edhe nga NATO dhe vende të tjera, siç është Norvegjia.
Me gjithë vërejtjet, Thaçi dhe Veseli kanë insistuar se ky proces është në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtare dhe në asnjë mënyrë kjo nuk mund të ketë pasoja negative për Kosovën dhe ushtrinë e saj të ardhshme.
Qeveria e Kosovës ka pranuar projektligjin e propozuar nga Presidenti Thaçi, ndërsa ka njoftuar se e ka proceduar tek disa ministri për të dhënë mendimin. Ministri i FSK-së, Haki Demolli, ka thënë të martën se ministria që ai drejton ka dhënë mendim pozitiv lidhur me projektligjin, por ka shtuar se ka bërë disa rekomandime.