Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, i ka dalë në mbështetje ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxhës, për vendimin e suspendimit të zyrtarëve të Shërbimit Korrektues, ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“E mirëpres suspendimin e zyrtarëve korrektues që janë duke u hetuar për keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Publiku nuk duhet ta humbë besimin në drejtësi”, ka shkruar ambasadori amerikan Greg Delawie në Twitter.
Ditë më parë Ministria e Drejtësisë, kishte marrë vendimin për largimin e përkohshëm të 10 zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, pas ngritjes së aktakuzave ndaj tyre.