Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave profesionale në fushën e administrimit tatimor, Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, së bashku me bashkëpunëtorë, priti delegacionin nga Administrata Tatimore e Bosnjës dhe Hercegovinës, të përbërë nga zAdmir Omerbašić, ushtrues detyre i Drejtorit të Administratës Tatimore të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Sabahudin Ibrahimagić, Udhëheqës i Zyrës Kantonale Tatimore të Zenicës dhe Muamer Dautbegović, Udhëheqës i Sektorit për inspektime, njoftime dhe hetime.
Përmes, një komunikate për media bëhet e ditur se gjatë vizitës, përfaqësuesit e të dy administratave zhvilluan diskutime profesionale mbi një sërë temash me interes të përbashkët, kornizën ligjore që rregullon bashkëpunimin ndërkombëtar tatimor, si dhe mundësitë dhe kufizimet e tij, menaxhimin e mbledhjes së borxheve tatimore, si dhe digjitalizimin dhe zhvillimet teknologjike në Administratën Tatimore të Kosovës.
Gjatë takimeve u prezantuan praktikat dhe përvojat institucionale të secilës administratë, me fokus në avancimin e proceseve tatimore, rritjen e efikasitetit operativ dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në administrimin tatimor.
Përfaqësuesit e Administratës Tatimore të Kosovës theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave rajonale dhe ndërtimit të partneriteteve profesionale, të cilat kontribuojnë në modernizimin e administratave tatimore dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj tatimpaguesve.
Vizita u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tatimore të Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe për identifikimin e praktikave më të mira në fushën e administrimit tatimor dhe transformimit digjital.
