Në një tavolinë të nxehtë të diskutimit do të ulen sot pasdite partnerët e koalicionit.
Çështja e dialogut e ajo e presidentit do të jenë tema kyçe të bisedimit pas një kohe prej kur LDK-AAK e NISMA nuk kanë mbajtur takime koordinuese.
Në këtë takim nga Qeveria e partitë kanë bërë të ditur se nuk do të diskutojnë për delegacionin që do ta përfaqësojë Kosovën me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
Liderët e koalicionit, LDK-AAK-NISMA, do të takohen sot në ora 15:00 pas disa përplasjeve që i patën në distancë për dialogun e së fundmi edhe për çështjen e presidentit.
Mirëpo, sot nuk do të caktohet delegacioni që do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e Uashingtonit me datën 4 shtator. Kështu kanë bërë të ditur nga zyra e kryeministrit në një përgjigje për Gazetën Express.
Nga zyra e kryeministrit Avdullah Hoti thonë për Gazetën se në takimin e sotëm do të diskutohet vetëm për përgatitjet që do të bëhen para takimit.
“Jo nuk është paraparë të diskutohet për delegacionin, do të diskutohet për përgatitjet jo për delegacionin njëherë”, bëjnë të ditur nga Qeveria.
Se sot nuk do të flitet për emrat që do të shkojnë në Shtetet e Bashkuara e thonë edhe në Alencën për Ardhmërinë e Kosovës.
Burime brenda AAK-së thonë se partnerët e koalicionit në përgjithësi do të flasin për dialogun por jo edhe për emra.
Sipas tyre, nga AAK-ja përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë do të jetë Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.
Nga LDK’ja ndërkaq, në zyrën për media kanë bërë të ditur për Gazetën se kush do të jetë pjesë e delegacionit vendos kryeministri Avdullah Hoti.
“Caktimi i delegacionit është çështje e kryeministrit”, ka thënë, Gentiana Azemi nga zyra për media e Lidhjes Demokratike.
Në takimin e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Avdullah Hoti derisa Serbinë, presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
Në këtë takim nuk do të marrë pjesë presidenti i shtetit Hashim Thaçi, derisa burime të gazetës bëjnë me dije se nuk është caktuar ende një takim koordinues para vizitës në SHBA në mes të tij dhe Hotit.
Çështja e delegacionit të Kosovës në bisedime ishte bërë mollë sherri për koalicionin qeverisës, kur kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj kishte kritikuar ashpër Hotin që e la jashtë takimit ministrin Selim Selimi.
Haradinaj javë më vonë e bëri publike kandidaturën për president, gjë që i ka thelluar edhe më tej paknaqësitë brenda partnerëve.
Sot në ora 15:00 të njëjtit do të takohen për të diskutuar për krejt këto tema.
“Në orën 15 takohem me z.Mustafa, z.Haradinaj dhe z.Limaj për t’i informuar për zhvillimet e deritashme në procesin e dialogut dhe pritjet për takimin e Washingtonit, si dhe për çështje të tjera në funksion të realizimit të programit qeverisës të dakorduar me të gjithë partnerët e koalicionit”, ka shkruar kryeministri Hoti.