Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani beson se koalicioni qeverisës PDK- LDK i ka numrat për të votuar ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.
Osmani në një përgjigje për AktivPress ka deklaruar se kur kryeministri Isa Mustafa do ta kthej këtë çështje në Kuvend, atëherë edhe marrëveshje do t’i ketë votat e mjaftueshme për të kaluar.
Ai shprehet optimist se deputetët do të votojnë marrëveshjen për ratifikim, pasi siç thotë ai kjo çështje është nga më të rëndësishmet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
“Unë besoj se deputetët janë aq të përgjegjshëm sa kanë për ta votuar Demarkacionion. Është njëra nga çështjet më të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës dhe konsideroj se asnjë akt pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk është më i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës sesa liberlizimi i vizave. Kjo është interes i përgjithshëm, i shumicës dërmuese”, ka thënë ndër të tjerash Osmani.
Ky deputet ka deklaruar se kjo marrëveshje duhet të votohet, edhe për arsyen siç thotë ai për nder të bashkëpunimit të mirë me Malin e Zi.
“Demarkacioni duhet të votohet jo vetëm për t’i hapur rrugë lëvizjes së lirë të qytetarëve, por dhe për t’i ruajtur raportet e mira me shtetin fqinj Malin e Zi, i cili në momente të caktuara është treguar që është fqinj i mirë”, ka përfunduar deputetit i LDK-së.
Ndërsa, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ditë më parë, pas një raportimi që ka bërë në Komisionin Parlamentar për Stabilizim Asociim, ka thënë se Kosova nuk mund t’i ikë në asnjë mënyrë ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.
Hoxhaj ka shtuar se ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin do të vazhdojë të jetë kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Mirëpo, në fakt si në LDK ashtu edhe në PDK ka deputetë që e kundërshtojnë këtë marrëveshje.
Opozita, në anën tjetër, mbetet e palëkundur në qëndrimin që kjo marrëveshje të mos kaloj.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ripërsërit vazhdimisht se marrëveshja për demarkacionin është e drejtë dhe duhet ratifikuar, pasi sipas tij, nga ajo marrëveshje Kosova nuk humb asgjë.
Së voni, ai ka thënë se do t’i bëjnë përgatitjet për Demarkacionin dhe që të krijojnë një ambient që deputetët ta votojnë, në të kundërtën, sipas tij përgjegjësinë për izolim të qytetarëve do ta marrin ata që po pengojnë këtë marrëveshje.
Nga ana tjetër, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq para pak ditësh ka deklaruar se ratifikimi i demarkacionit nga ana e Kosovës është në interesin e tyre.
Edhe zyrtarë tjerë të Malit të Zi kanë thënë se janë të gatshëm ta mbështein Kosovën që ta kaloi këtë proces.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, gjatë vizitës në muajin mars në Kosovë ka ripërsëritur mesazhin e Brukselit se demarkacioni me Malin e Zi mbetet kusht i pandryshuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. (AktivPress)