Demarkacioni nuk lidhet me formimin e FAK-ut

Prishtinë | 12 Shk 2017 | 20:46 | Nga

Deklaratat e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, se ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e kufirin me Malin e Zi është kusht për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), janë hedhur poshtë nga partnerët e koalicionit dhe partitë opozitare.

Anëtarja e Komisionit për Themelimin e FAK-ut, njëherit deputete e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë për televizionin publik se në rast se Qeveria e sjellë në kuvend votimin e Demarkacionit si kusht për themelimin e FAK-ut, atëherë kjo Qeveri ka mbaruar.

“Nëse eventualisht ndodh që Qeveria e Republikës së Kosovës ta sjellë demarkacionin në Kuvend si kusht për themelimin e FAK, atëherë kjo Qeveri le të bëhet gati për të dalë në votëbesim”, tha Musliu.

Kryetari i Komisionit Parlamentar që përcjellë sigurinë dhe FSK-në Daut Haradinaj, ka deklaruar se demarkacioni është histori e mbyllur.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, mosthemelimin e Forcave të Armatosura e sheh si mungesë e vullnetit të qeverisjes aktuale.

“Më duket që në plan të parë nuk e kanë themelimin e Ushtrisë së Kosovës, përkundrazi e kanë vetëm si mjet për ta përdorur për të realizuar, ato çfarë në të vërtetë i kanë në plan të parë, siç është jetësimi i ‘Zajednicës’ dhe ratifikimi demarkacionit me Malin e Zi”, tha Selimi.

Ndërkaq, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka deklaruar se “ka pasur informata të mëhershme se shënjimi i kufirit me Malin e Zi është kusht edhe për themelimin e Forcave të Armatosura”.

Të ngjashme