Vazhdojnë prurjet tek Përfaqësuesja A e Kosovës.
Për dy ndeshjet e muajit tetor risi është grumbullimi i Lirim Kastratit, djaloshi nga Kamenica që po shkëlqen në Kroaci.
Por në muajin nëntor do të jenë dy futbollistë të tjerë që do t’i bashkohen Kosovës.
Fjala është për dy futbollistë mjaftë të talentuar, që deri më tani kanë luajtur për grupmoshat e Zvicrës.
Mbrojtësi qendror, Mirlind Kryeziu që aktivizohet me Zurichun ka pranuar ta bartë fanellën e Kosovës.
Njësoj ka vepruar edhe super sulmuesi i Luzernit, Shkëlqim Demhasaj i cili së fundmi ka shënuar gol ndaj kampionit në fuqi Young Boys.
Lajmi është konfirmuar nga trajneri i Kosovës, Bernard Challandes në konferencën për shtyp.
Telegrafi kishte mësuar më herët se dyshja ka pranuar të luaj për Kosovën dhe në pyetjen tonë se pse nuk janë grumbulluar, Challandes është përgjigjur.
“Jemi duke kompletuar dokumentacionin për Demhasajn dhe Kryeziun”, tha shkurtimisht trajneri zviceran që ka konfirmuar se dy super talentet do të luajnë për Kosovën.
Kujtojmë se si Demhasaj ashtu edhe Mirlind Kryeziu kanë luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës.