Demolli merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Halifaks

Prishtinë | 20 Nën 2016 | 09:57 | Nga

Ministri i Forcën e Sigurisë së Kosovës Haki Demolli po qëndron në vizitë zyrtare në Kanada, me ftesë të posaçme nga Ministri i Mbrojtjes së Kanadasë dhe Forumi prestigjioz i Halifaxit, një prej konferencave kryesore në Botë për siguri, sidomos në Amerikën e Veriut.

Me këtë rast, Ministri Demolli pati një takim shumë të ngrohtë bilateral me Ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë Harjit Sajjan, të cilin e falënderoi për kontributin kanadez që kanë bërë për Kosovën

Ministri Demolli në takim me ministrin Sajjan, theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit në mes të MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Kanadasë, si dhe domosdoshmërinë e mbështetjes së Kanadasë, në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që, do të mbahet në dhjetor të këtij viti, ku pritet të vendoset për etapën e re të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe NATO-s.

Gjithashtu, Ministri Demolli, e ftoi Sajjan për vizitë në Kosovë, për të parë nga afër progresin e FSK-së.

Para hapjes zyrtare të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes së Kanadasë, Harjit Sajjan, Ministri i FSK-së, Demolli, mori pjesë në Mëngjesin Ministerial të kryesuar nga nikoqiri, me temën ,,Formësimi i agjendës së re, Inovacioni në Misionet Paqeruajtëse Bashkëkohore”.

Ky aktivitet u organizua me qëllim që të analizohen praktikat e ndryshme të misioneve paqeruajtëse si dhe të bëhen përgatitjet adekuate për Forumin e Kombeve të Bashkuara mbi Paqeruajtjen që pritet të mbahet në vitin e ardhshëm në Kanada.

Ministri Demolli, ndau me të pranishmit disa prej të gjeturave lidhur me misionet paqeruajtëse në Kosovë, ndërsa bëri thirrje që të mbështetet FSK-ja në rrugëtimin e saj drejt transformimit në Forcë të Armatosur si dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të qenë në krahë të aleatëve perëndimor në misionet paqeruajtëse në të ardhmen.

Krahas Ministrit Sajjan, ishin të pranishëm nën-Sekretarët e Përgjithshëm të OKB-së për Misionet Paqeruajtëse respektivisht për mbështetje në teren Herve Ladsous dhe Atul Khare, ministrat e mbrojtjes ose zëvendësit e tyre nga ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Polonia dhe shtete tjera anëtare të NATO-së, ndërsa nga vendet e rajonit të pranishëm ishin Ministrat e rajonit nga Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Kroacia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme