MFSK-ja me strategji për integrimin e komuniteteve

Prishtinë | 04 Maj 2017 | 11:35 | Nga

Ministria e FSK-së në një tryezë të rrumbullakët ka paraqitur strategjinë për integrimin e komuniteteve jo shumicë në këtë ministri dhe FSK.

Ministri Haki Demolli tha se MFSK-ja ka paraqitur draft-strategjinë në mënyrë që përfaqësimi i komuniteteve jo shumicë në këtë dikaster të arrijë në minimum 10%, përderisa aktualisht FSK-ja ka 8% të përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë.

“FSK-ja do të jetë e pranishme me aktivitete edhe më tutje në vendbanimet me komunitetet jo-shumicë, sidomos në ato lokalitete ku komuniteti serb jeton më në shumicë. FSK-ja ka punuar shumë në drejtim të aplikimit të planifikimeve për integrimin e suksesshëm të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për të shërbyer për vendin, në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

“Kjo strategji paraqet elementin kyç brenda FSK-së dhe ky dokument ka pasur përkrahjen edhe nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë edhe ShBA-në. Kjo strategji përfshinë tri etapa: atë politike, strategjike dhe të veprimit”, tha Demolli.

Ndërsa komandanti FSK-së, Rrahman Rama tha se në vazhdimësi kanë punuar, jo vetëm për integrimin, por edhe për rritjen e besimit për komunitete. Ai tha se gjatë vitit të kaluar kanë diplomuar dy oficerë, përderisa këtë vit janë pesë kandidat nga komuniteti serb.

“Aktualisht janë 47 serbë dhe gjithçka kalon pa probleme dhe zbatohen të gjitha urdhrat dhe detyrat”, tha ai.

Ndërsa, prezantimin e dokumentit strategjikë për integrimin e pjesëtarëve të komuniteteve në FSK, në emër të grupit punues e bëri shefja e zyrës së Komuniteteve në MFSK, Azemina Çullum e cila tha se vizioni i Ministrisë për FSK është që të krijojmë dhe të mbajmë një forcë shumë etnike me perspektive të fortë dhe të qëndrueshme.

Sipas saj, me këtë strategji MFSK-ja ka vendosur vizion afatgjatë dhe po tregon gatishmëri dhe vendosmëri që të integrojë, mbajë, zhvilloj dhe motivoj komunitetet jo shumicë në FSK.

Në fund Çullum tha se të gjitha detyrat dhe planet të përcaktuara në këtë strategji do të zbatohen përgjatë tri viteve të ardhshme sipas Planit të aksionit. Njëkohësisht, me angazhim kolektiv, koordinim dhe me respektim të përgjegjësive dhe obligimeve të stafit të MFSK dhe FSK, kjo strategji do të realizohet me sukses dhe do të rezultojë me integrim të qëndrueshëm të komunitetit jo shumicë në FSK.

Dhe krejt në fund, shefja e Departamentit për Komunitete në MFSK, Azemina Çullum tha se MFSK-ja si institucion qeveritar me kë këtë strategji mund të tregojë shembull të mirë  dhe të shërbej si model për strategjinë për integrime edhe për institucionet tjera të vendit.

Këtë nismë të krijimit të strategjisë së lartpërmendur e përshëndeti zv.ambasadori britanik, Tom Adams, si dhe atasheu i mbrojtjes i ShBA-së, Koloneli Jeffrey Fischer.

Strategjia për integrim të komuniteteve jo shumicë përcakton qëllimet dhe politikat që do të zbatohen, përmes integrimit të të gjitha aktiviteteve dhe proceseve, për të siguruar realizimin e  objektivave dhe qëndrueshmërinë e integrimit të komuniteteve jo shumicë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme