Qendra kryesore e kryeqytetit të Kilit, është mbushur sërish me demonstrues, të cilët po kundërshtojnë pabarazinë dhe po kërkojnë largimin e qeverisë në pushtet.
Sulmi radhës i aktivistëve të maskuar, ka qenë kisha e njohur si La Asuncion, që është thyer dhe prej aty janë marrë disa statuja të Jezu Krishtit, ikona dhe simbole të ndryshme fetare, të cilave iu është vënë flaka në rrugë, transmeton Telegrafi.
Raportohet se tym ka dalë edhe nga qendra universitare që ndodhet në Santiago, mirëpo autoritet nuk kanë bërë të ditur se ky institut arsimor, ishte shënjestër e sulmeve.
Forcat e rendit, janë ndeshur me demonstruesit që thyen kishën dhe vazhdonin të hidhnin gurë në drejtim të tyre, ndërsa një numër i konsiderueshëm morën lëndime trupore.
Kur demonstratat filluan para 22 ditësh, ishin të qeta, por me kalimin e kohës janë bërë të dhunshme dhe po vazhdojnë në këtë formë.
Sistemi i edukimit, sigurimi shëndetësor dhe shumë i kritikuari sistem i pensionit, janë arsyet kryesore të demonstratave në këtë shtet të pasur, por me shumë pabarazi shoqërore.