Dënohet e akuzuara që kishte përkthyer patentë shoferin slloven të falsifikuar për t’u pajisur me atë të Kosovës

Prishtinë | 06 Kor 2021 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka dënuar me 900 euro gjobë të akuzuarën për legalizim të përmbajtjes së rreme, Adelinë Smajli.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur të martën, nga gjykatësi Sadri Krasniqi, ku fillimisht, ajo është dënuar me tre muaj burgim efektiv, mirëpo me propozimin e saj, ky dënim i është zëvendësuar me gjobë në shumë prej 900 euro.

Po ashtu, e akuzuara Smajli është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 euro, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave, raporton betimipërdrejtësi.

Ndryshe, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sllavica Popoviq, e akuzuara Smajli ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohej.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 11 nëntor 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Adelinë Smajlit, me arsyetimin se ajo më 25 janar 2019, në kohë të pavërtetuar në zyret e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Qendrës së Aplikimit në Kamenicë, ka përdorur patentë shoferin slloven plotësishtë të falsifikuar edhe pse e ka ditur se është i rremë.

Sipas prokurorisë, më këtë e akuzuara e ka vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik, regjistër apo libër të vërtetojë një çështje të pavërtetë ashtu që është pajisur me patentë shofer të Republikës së Kosovës.

Për këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 395 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të ngjashme