Dënohet me 500 euro gjobë i akuzuari që pranoi se ka mbajtur armë pa leje

Prishtinë | 12 Dhj 2019 | 11:36 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, në seancën e shqyrtimit fillestar e ka dënuar me 500 euro gjobë, të akuzuarin për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Agim Gjoka.

Ai është ngarkuar edhe me taksën për kompensimin e viktimave të krimit, në shumë prej 30 euro, si dhe paushallin gjyqësor në shumë prej 30 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur të enjten, nga gjykatësi Shefqet Baleci, pasi që i akuzuari paraprakisht pranoi fajësinë lidhur me veprën të cilën i ngarkohej.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Nebahate Salihu, duke propozuar që ky akt të merret si rrethanë lehtësuese me rastin e shqiptimit të dënimit.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi Baleci ka thënë se ka marr parasysh pranimin e fajësisë, kërkim faljen, pendimin dhe premtimin që në të ardhmen nuk do të kryej vepër penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 7 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Agim Gjoka, të cilin e ka ngarkuar me veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se nga data e pacaktuar e deri me datën 31  janar 2019, i pandehuri Gjoka, në shtëpinë e tij, ka mbajtur në pronësi, kontroll, në shkelje me ligjin e zbatueshëm mbi armët e tilla.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka poseduar pistoletë e tipit “Woltra Combant”, një karikator dhe shtatë fishekë, ndërsa gjatë kontrollit të tij në brez i është gjetur edhe një pistoletë tjetër e tipit “Sig”, katër fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe një karikator të cilat i janë konfiskuar nga ana e policisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme