Dënohet veterani i rrejshëm në Pejë

Prishtinë | 30 Tet 2019 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore e Pejës, e ka dënuar me një vit burgim të pandehurin R.G pasi kishte falsifikuar dokumentet për të përfituar nga skema pensionale për veteranët e UÇK-së.

“Me datë 26.02.2018, në Departamentin për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile – Zyra në Pejë, pranë MPMS-së, vë në lajthim organin kompetent të lartcekur që në dokumentin publik – regjistrin të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore, në atë mënyrë që i pandehuri duke prezantuar dokumentet e falsifikuara dhe atë certifikatën mbi statusin e veteranit të luftës si dhe vërtetimin se kinse i njëjti është Veteran Luftëtar i UÇK-së, dokumente këto të falsifikuara me ç’rast arrin të përfitoj pensionin mbi statusin e veteranit të luftëtar duke marrë pagën prej 170 €” thuhet në njoftim.

Sipas aktgjykimit dënimi me burgim ndaj tij, nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy vjetësh.

Ndërsa gjykata shqiptoi edhe dënimet plotësuese.

“Urdhri për kompensimin e dëmit apo humbjen në shumë prej njëmijë e treqind e gjashtëdhjetë (1360) euro dhe urdhri për publikimin e aktgjykimit”.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Të ngjashme