Departamentit të Drejtësisë në SHBA i kërkohet ngritja e aktakuzës kundër Jack Smith

Prishtinë | 23 Kor 2026 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Jim Jordan, Kryetar i Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mërkurën e 22 korrikut i kërkoi Departamentit të Drejtësisë amerikane, të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së një aktakuze kundër prokurorit, Jack Smith, i cili kishte shërbyer edhe në Gjykatën Speciale si Kryeprokuror në kohën kur ishte ngritur aktakuza kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Smith, kishte ndjekur penalisht edhe Presidentin amerikan, Donald Trump.

Jordan sipas raportimit nga CNN, pretendon se “Smith e ka çorientuar komitetin gjatë dëshmisë së tij me dyer të mbyllura në fund të vitit të kaluar”.

Shqetësimet e Jordan bazohen kryesisht në faktin se ekipi i prokurorëve të Smithit ka siguruar mesazhe tekstuale mes zyrtarëve të administratës së Trumpit dhe anëtarëve të Kongresit gjatë hetimit të tyre ndaj  Trump.

Në letrën e Jordan, ai e akuzon Smithin se ka ndërmarrë hapa hetimorë për të “spiunuar anëtarët e Kongresit” dhe thotë se Smith ka nxjerrur “gjysmë të vërteta” në një dëshmi të dhënë në dhjetor në Capitol Hill, kur u përgjigj lidhur me regjistrimet që kishin të bënin me anëtarët e Kongresit dhe që ishin bërë pjesë e provave të shqyrtuara nga prokurorët e Smithit.

Jordan në mënyrë specifike i kërkon Departamentit të Drejtësisë të shqyrtojë nëse Smith ka shkelur ligjin që ndalon dhënien e deklaratave të rreme para Kongresit.

Në akuzën e tij, kryetari i komitetit thotë se Smith ka dëshmuar se nuk kishte ndjekur përmbajtjen e komunikimeve të anëtarëve. Smith dëshmoi se ekipi i tij kishte siguruar vetëm urdhër-kërkime për regjistrat e thirrjeve hyrëse dhe dalëse, të njohura si të dhëna të telefonatave (toll records), por jo vetë përmbajtjen.

Letra e Jordanit thotë se regjistrimet që republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve morën në fillim të këtij muaji tregojnë se “ekipi i Smith mori mesazhe tekstuale të 44 anëtarëve të Kongresit, duke përfshirë si republikanë ashtu edhe demokratë në të dy dhomat e Kongresit — të cilat mund të kenë përfshirë përmbajtje të privilegjuar”.

Megjithatë, kur zyra e prokurorit special mblodhi mesazhet tekstuale dhe përmbajtjen e komunikimeve të anëtarëve, ato regjistrime erdhën nga përmbledhja e Arkivit Kombëtar të telefonave zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së parë të Trumpit, sipas regjistrimeve që janë publikuar dhe letrës së Jordanit.

Në atë kohë, prokurorët po ndiqnin mesazhet e zyrtarëve të lartë rreth Trumpit në prag të dhe më 6 janar 2021, dhe anëtarët e Kongresit kishin komunikuar me mesazhe me disa prej atyre zyrtarëve të degës ekzekutive.

Sipas një zëdhënësi, Departamenti i Drejtësisë,  “do të hetojë të gjitha provat e sjelljes kriminale të Smith”. Zëdhënësi konfirmoi se Departamenti e ka pranuar kërkesën e Jordan.

Jack Smith ishte prokurori special në Dhomat e Specializuara të Kosovës që ngriti aktakuzën kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Puna e tij në Hagë është konsideruar si politike, me një aktakuzë që kriminalizon krejt UÇK-në, shërbehet me prova të manipuluara nga Serbia, mbështetet në dëshmitarë të dyshuar për lidhje me Shërbimin Sekret Serb, si dhe fsheh provave shfajësuese.

Smith kishte ngritur aktakuzë edhe kundër presidentit të tanishëm të SHBA-së, Donald Trump, nëpërmjet së cilës e akuzonte për tentim përmbysje të rezultateve zgjedhore të vitit 2020 dhe për mbajtje të paligjshme të dokumenteve konfidenciale.

Vitin e kaluar, Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së nxori dokumente që tregonin se gjatë hetimeve në këtë proces, zyra e Smith pagoi rreth 20 mijë dollarë një dëshmitar konfidencial, si dhe përgjonte telefonatat private të disa senatorëve.

Të ngjashme