Deponimi i materialit ndërtimor në Podujevë bëhet pa pagesë

Prishtinë | 09 Tet 2019 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët komunalë të Podujevës e kanë funksionalizuar një deponi inerte në fshatin Llaushë nga dy sa ishin paraparë. Ata kanë thënë se aktualisht menaxhimin e bëjnë vetë dhe se për deponimin e materialit ndërtimor tash për tash qytetarët nuk paguajnë asgjë.

Megjithatë, ata nuk kanë treguar se sa do të zgjasë kjo dhe po ashtu pse nuk është funksionalizuar edhe deponia tjetër që ishte paraparë në fshatin Sallabajë, shkruan sot Koha Ditore.

“Në bazë të vendimit të Kuvendit të Komunës janë caktuar dy lokalitete për vendosjen e mbeturinave inerte, në Sallabajë dhe Llaushë. Aktualisht është funksionalizuar deponia në Llaushë, e cila menaxhohet nga Komuna. Deponimi i mbeturinave bëhet pa pagesë”, ka thënë shkurt zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar Kuvendi Komunal i Podujevës kishte miratuar propozim-vendimin e Drejtorisë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi për caktimin e dy lokacioneve ku do të funksionalizoheshin përkohësisht dy deponi me material ndërtimor. Drejtori i këtij i dikasteri, Abaz Llugaliu, kishte thënë se vendet e propozuara janë gropa ekzistuese dhe deponitë do të funksionojnë derisa të mbushen ato me material inert. Pas kësaj, sipas tij, ato do të mbulohen me dhe dhe do të gjelbërohen ato hapësira.

“Këto nuk janë deponi të përhershme, janë deponi mobile derisa të mbyllen gropat ekzistuese. Ato funksionojnë vetëm derisa të mbushen gropat, pastaj i vendoset një pjesë me dhe, gjelbërohet edhe kryhet”, kishte thënë Abaz Llugaliu. “Në kuadër të aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’ është një garë ndërmjet komunave për përfitimin e një fondi prej 1.2 milionë euro në total, 5 komuna përfituese u ndahen kjo shumë. Në këtë garë është edhe Komuna jonë. Do të përzgjidhen ato që kanë hequr më së shumti deponi të egra, pastaj është kusht që të caktohen minimumi dy lokacione për deponi për material ndërtimor. Po pretendojmë që me qenë njëra prej këtyre pesë komunave përfituese të atij shpërblimi”.

Megjithatë, Komuna e Podujevës nuk ishte shpallur fituese dhe për këtë kishin reaguar zyrtarët komunalë.

Ndërkohë, në vendim thuhej se caktohen lokacionet me destinim për deponimin e mbeturinave të krijuara nga ndërtimet dhe demolimet e objekteve ndërtimore-ND (inerte) në parcelat e evidentuara në certifikatat pronësore si vijon: 1. P-71712044-00099-0, në sipërfaqe 8684m2 në vendin e quajtur Pecija, kultura-kullosat, klasa e tretë, zona kadastrale Llaushë; 2. P-71712038-00347-0, pjesa prej 3000m2 nga sipërfaqja e përgjithshme 80248m2, vendi i quajtur Roga e Gurit, kultura-kullosa, klasa e tretë, tona kadastrale Sallabajë. Në nenin pasues thuhet se destinimi i parcelave sipas nenit 1 të këtij vendimi bëhet me qëllim të mbrojtjes së mjedisit nga ndotja prej mbeturinave të ND, si dhe në funksion të ndërtimit të sistemit të menaxhimit, trajtimit dhe shërbimeve për mbledhjen dhe deponimin e mbeturinave inerte.

“Për zbatimin e këtij vendimi dhe ndërmarrjen e veprimeve tjera përkatëse të ndërlidhura me deponimin, menaxhimin dhe trajtimin e mbeturinave –ND kujdesen Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në bashkëpunim dhe koordinim me Drejtorinë e Pronës, Kadastrës dhe Gjeodezisë dhe Drejtorinë e Inspektoratit. Pas miratimit nga Kuvendi i Komunës, vendimi hyn në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në protokollin e Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe publikimit në ueb-faqen zyrtare të Komunës”, thuhet në nenet 3 e 4 të këtij vendimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme