Deponohen kërkesat për pagesën e avokatëve të Speciales

Prishtinë | 12 Dhj 2020 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës deri më tani ka pranuar disa kërkesa nga avokatët për pagesën e tyre lidhur me mbrojtjen e të akuzuarve pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në këtë ministri deklaruan për Radion Evropa e Lirë se të njëjtat janë në fazën fillestare të shqyrtimit nga komisioni i ministrisë, i cili do të vendosë mbi bazën e parimeve dhe kritereve të cekura me ligj dhe udhëzimet përkatëse.

Institucionet e Kosovës tashmë kanë bërë të ditur se aktualisht janë rreth shtatë milionë euro të ndara për vitin e ardhshëm për të akuzuarit në Hagë, kurse trembëdhjetë milionë euro të tjera janë rezervë.

Të akuzuar në Hagë, aktualisht, janë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, Salih Mustafa. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë të akuzuarit tashmë kanë ekipet mbrojtëse të përbërë nga avokatë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Sipas ministrisë, materialet që ndërlidhen me Dhomat e Specializuara janë të klasifikuara me vendimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, të nivelit ‘sekret’, kurse sa i përket aspekteve financiare, “në një fazë të mëvonshme” ministria do të japë informacion shtesë për opinionin, duke i bërë publike shpenzimet javore të ministrisë, ku do të përfshihen edhe shpenzimet që ndërlidhen me këtë proces.

Ministria aktuale e Drejtësisë, megjithatë, nuk ka dhënë informacione të tjera lidhur me atë se si do të bëhet vlerësimi dhe pagesa e punës së avokatëve.

Sipas një udhëzimi nga 16 nëntori 2020, ministria do ta ketë diskrecionin që të negociojë një marrëveshje për pagesë mujore fikse me mbrojtësin e autorizuar. Në të njëjtin udhëzim është paraparë model marrëveshje, që parasheh se “çdo komunikim në të ardhmen në mes të avokatëve dhe klientit, ose në mes të avokatëve dhe ministrisë është rreptësisht konfidencial”.

Por, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thekson se ligji i aplikueshëm në Kosovë, nuk lejon që pagesat për avokatë të jenë sekrete.

“Përkundrazi, duhet të jenë transparente dhe të sigurohet që të gjithë të akuzuarit, trajtohen drejt, në mënyrë të barabartë”, thotë ai.

Tesktin e plotë mund ta lexoni këtu : https://www.evropaelire.org/a/28369145.html

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme