Publikimi i një shkrimi të gjatë të shefit të PDK-së, Kadri Veseli, rreth pozicionimit të tij karshi Gjykatës Speciale, është mirëpritur nga deputetët e partisë së tij.
Këta të fundit janë shprehur të gatshëm t’i tërheqin nënshkrimet rreth iniciativës për shfuqizimin e Ligjit për Specialen në rast se e njëjta u kërkohet nga partia, respektivisht shefi i tyre, Veseli.
Deputeti Hajdar Beqa tregoi se për momentin qëndrojnë prapa nënshkrimeve mirëpo nëse instancat e partisë kërkojnë që të tërhiqen, atëherë ai do ta respektoj një vendim të tillë.
Sipas tij, deklarimi i Veselit ishte i qartë sepse Specialja ishte një e keqe që i ka ndodhë realisht Kosovës.
“Unë e respektojë qëndrimin e kryetarit të partisë por vendimet do t’i marrim si grup në koordinim edhe kryetarin e partisë dhe kryesisë së PDK-së dhe qëndrimi jonë do të jetë në harmoni me vendimin e PDK-së”, u shpreh ai për Indeksonline.
Derisa edhe deputeti tjetër i këtij subjekti, Mërgim Lushtaku thotë se qëndrimi i tij do të jetë në përputhje me qëndrimet partiake.
“Inciuesi është Nait Hasani dhe më mirë do të ishte të konsultoheni me të. Por unë do të respektoj vendimin e partisë, unë se kam problem”, tha ai.
Ndryshe, kreu i PDK-së në një shkrim autorial theksoi se Gjykata Speciale do të ndodhë dhe se ky është veprim i pashmangshëm.
Veseli në shkrimin “Mbi dramën e Gjykatës Speciale” nuk hezitoi që haptas të akuzojë partitë opozitare, të cilat, sipas tij, aktruan e shfaqën mllef e revanshizëm të tipit ballkanik.