Deputetët e VMRO-së ankohen për përdorimin e gjuhës shqipe në Kuvend

Prishtinë | 31 Maj 2017 | 14:57 | Nga

Deputeti i VMRO DPMNE-së Ilija Dimovski, gjatë fjalimit të tij në Kuvend, ka thënë se, kemi hyrë në skenarë për provokime.

Ai ka thënë se Talat Xhaferi na drejtohet në gjuhën shqipe vetëm deputetëve të VMRO DPMNE-së, me arsyetimin se shpesh e cilësojmë atë si deputet. Sipas Dimovskit, me ligj ende ai nuk mund të përdorë gjuhën shqipe në Kuvend për të drejtuar seancat parlamentare. Ai shtoi më tej se partia e tij nuk do të bjerë në skenare provokimesh.

“Dua ta paralajmëroj se jemi duke hyrë në një skenar provokues. Kolegu Talat Xhaferi drejtohet në gjuhën shqipe vetëm ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së me arsyetimin se ne e konsiderojmë atë si deputet. Por sipas ligjit, ende në fuqi, ai nuk mund të përdorë gjuhën shqipe në seancat kuvendore. Nëse doni në atë drejtim ti udhëhiqni punët, urdhëroni, por do të hapet një diskutim se kush po e shkel Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit”, tha Dimovski, shkruan AlsatM.

Talat Xhaferi e kundërshtoi menjëherë deputetin Dimovski, duke i thënë se “përderisa unë jam për ju deputet, nuk ka asgjë kontestuese tu drejtohem kështu dhe ashtu si do të silleni me mua, ashtu edhe unë do t’u drejtohem”, është përgjigjur kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Ndërkohë deputetët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së vazhdojnë me replika ndaj njëri-tjetrit në lidhje me programin qeveritar dhe kabinetin qeveritar të propozuar dje nga mandatari Zoran Zaev.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme