Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka kërkuar që marrëveshjet ndërkombëtare para nënshkrimit të diskutohen në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
Kjo me propozim të deputetit, Sami Kurteshi. Sipas tij, nuk ka arsyetim që marrëveshjet ndërkombëtare veç të sillen në Kuvend për votim.
Ky propozim mori mbështetje edhe te anëtarëve të tjerë të komisionit. Deputeti Korab Sejdiu u pajtua me propozimin e Kurteshit.
“Duhet me u ndryshuar ligji, unë e përkrahi si idenë me e adresuar këtë çështje njëherë e përgjithmonë sepse kur vjen një vendim nga ndërkombëtarët ne vazhdojmë me u bë hor tu mos mund me trajtuar”.
Edhe Bilall Sherifi, tha se përkrah propozimin e Sami Kurteshit që marrëveshjet ndërkombëtare para nënshkrimit të diskutohen në Kuvend
“Kuvendi jo që nuk ka instrument që ta thotë fjalën e vet, por ka vetëm dy opsione ta rrëzoj ose ta aprovoj. Unë e përkrah propozimin e Kurteshit”.
Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit, kërkoi që të hiqet nga rendi ditës pika për shqyrtimin në parim të Projektligjit për aktet juridike, me arsyetimin se shqyrtimi i këtij projektligjit kërkon më shumë kohë.