Deputetët e opozitës kanë ngritur dilema për ekzistimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, e cila është krijuar me ardhjen në krye të Qeverisë, Ramush Haradinaj.
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka diskutuar lidhur me ndarjen e granteve nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, me theks të veçantë për bizneset e udhëhequra nga gratë, raporton Ekonomia Online.
Paraprakisht, zëvendësministrja e kësaj ministrie, Magbule Shkodra, raportoi për grantet që janë ndarë vetëm për vitin e kaluar. Sipas raporteve, në këtë ministri kanë aplikuar 1700 persona, në mesin e tyre 52 femra.
“Vitin e kaluar kemi pas buxhet 1 milion e gjysmë, patëm 1700 aplikues 52 femra. Kemi vrenjtë s’kemi pas numër të madh të aplikueseve, 27% janë pronare gra. Çka jemi munduar kemi bërë platformë online kemi pas dyshime se a u kemi lehtësuar apo vështirësuar punën”, tha Shkodra.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk konjufca, tha se asnjëherë nuk është bindur për ekzistencën e kësaj ministrie dhe për nevojën që ka vendi për këtë dikaster.
“Kurrë s’më ka bindë ministria juaj për arsye te ekzistencës se vet. Ne e dimë qysh është krijuar me krijimin e koalicionit s’ka pas arsyetim cila do të ishte puna e veçante e kësaj ministrie dhe pse Kosova ka nevojë për këtë ministri. Në Kosovë rajonet dallojnë në bazë të niveleve te strategjishmërisë. Këtu jo vetëm ne kuptim rajon por edhe në grupe të caktuara nëse shpërfaqim papunësi. Ne e dimë që sa i përket aplikimit duhet të këtë barazi por sa i përket asaj si jepen grantet. Unë këtë shifër e shoh prej vitit 2003 qysh ka mundësi na po krijojmë ministri të reja na s’po shohim statistika më të mira në këtë dimension”, tha Konjufca.
Skeptik për funksionimin e kësaj ministrie, u shpreh edhe Liburn Aliu nga Vetëvendosje.
“Nuk jam që duhet me pas ministri të veçantë. Arsyetimin qe ju e dhatë, kjo i bjen që Kosova s’ka marrë fonde më herët. Po flasim për një strategji më të besueshme keni pas kohë bollë”, tha Aliu.
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, e quajti të palogjikshme të pyetet zëvendësministrja për krijimin e ministrisë.
“Nuk besoj që është e logjikshme që ti kërkojmë përgjigje pse ekziston ministria”, tha Nitaj.
Zëvendësministrja Shkodra, tha se Ministria e Zhvillimit Rajonal është dikaster që e arsyeton veten.
“Është e vërtet që ka numër të madh së ministrive, unë them se fushat që ministria jonë i mbështet janë ato në përjashtim të Ministrisë së Bujqësisë, ministria me buxhet kaq të vogël ka krijuar 600 vende pune. Ministria e zhvillimit rajon ka mekanizma për të tërhequr fonde nga BE. Kjo ministri është njëra ndër ministrit që e arsyeton vetveten”, tha ajo, raporton EO.
Ndërsa, kryetarja e këtij komisioni, deputetja e PDK-së, Sala Berisha Shala, tha se nuk beson që nga viti 2003 nuk kanë lëvizur shifrat.
“Nuk po besoj që nga viti 2003 s’ka lëvizë kjo shifër. Kjo vlen për të dëshiruar aq sa jemi ajo që është me rëndësi se po mbyllemi në zyrat tona në infrastrukturë e ligjit. Ne tashme e dimë që 8 ministri e ndjej obligim qe çdo ministri me i pas ato dikastere me e pa cili është ndikimi i tyre me pa çka ka ndikuar ato të jenë në punë”, u shpreh Berisha-Shala.
Deputeti i Partisë Liberal Egjiptiane, Veton Berisha, kërkojë të ketë informacion për grantet që janë ndarë për komunitet.
“Sa grante janë dhënë për komunitete sa është shuma minimale. Si ministri i trajtojmë të gjithë njëjtë pavarësisht a v’ie nga komunitetet. A duhet të ndihmohet më shume pajtohem mos të ta në veshin e objektivave. Në mesin e grave që kanë përfituar ju sigurojë që ka edhe komunitete. Kemi rast kur këto biznese janë monitiroruar për së afërmi”, u shpreh Berisha.
Shkodra tha se Ministria e Zhvillimit Rajonal shumë shpejtë do të prezantojë raportet dhe të gjithë indikatorët politik.