Deputetët VV-së insistojnë në shkarkimin e Bordit të KPM-së, shkak kthimi i “Arena sport”

Prishtinë | 16 Shk 2024 | 11:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku e  Besim Muzaqi, kanë kërkuar shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Media, pasi “KPM-ja rrezikoi sigurinë nacionale me kanalet serbe”, raporton Ekonomia Online.

Fillimisht, deputeti Isaku, tha se KPM ka rrezikuar sigurinë nacionale kur ka vendosur të pezullojë vendimin për ndalimin e kanaleve të “Arenas”.

Duke cituar vendimin e KPM-së, Isaku, u shpreh ndalimi i programeve serbe ishte bërë me qëllim që të mos cenohet siguria nacionale.

“Me të vërtetë është cenu siguria nacionale dhe interesi i përgjithshëm i Republikës së Kosovës. Sepse krejt dynjaja e di, krejt ky vend e di që është ataku siguria nacionale më 3 tetor. Edhe ju jeni kanë të bindur fuqishëm se është atakuar siguria dhe interesi i përgjithshëm në vend. Çka ndryshoi?”, ka pyetur ai.

E deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Besim Muzaqi, tha se ende ka dyshime se si ndodhi që në mbledhjen e KPM-së hyri në rend ditë pezullimi i vendimit për kanalet e “Arenes”.

Ai tha se pika e rendit të ditës ishte kontrabanduar dhe ishte pezulluar largimi i kanaleve serbe nga platformat e Republikës së Kosovës.

Muzaqi tha se KPM duhet të jetë e pavarur edhe nga ambasadat dhe shoqëria civile.

“Është mirë me kanë të pavarur edhe nga ambasadat kur ju shkruajnë, edhe nga shoqëria civile, edhe nga njerëzit që kanë interesa të caktuara. Krejt rrjedha e kësaj ngjarje po çon se ju të pavarur prej neve po… rasti është i rëndë sepse po flasim për një vendim që ia kthen mundësinë një operatori kanalet që kanë bërë glorifikim të terroristëve”, deklaroi Muzaqi.

Ndërsa kryetari i Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, tha se mesazhet e publikuara në kanalet serbe në platformat e Kosovës kanë cenuar sigurinë e përgjithshme dhe kanë dëmtuar interesin nacional.

Kryetari i KPM-së  deklaroi se shfuqizimi i vendimit ishte marrë pas katër muajsh pasi kanë pasur edhe një letër nga “Arena”.

“Në fund jemi ballafaquar me kërkesa direkte nga “Arena”, me lutjen aman rishqyrtojeni vendimin se po cenohet e drejta e një komuniteti të caktuar nga ngjarjes sportive. Kemi mekanizma të ri që garantojnë se mesazhe të tilla politike në kanalet sportive kurrë më nuk do të përsëriten. Jep siguri se në plotëni respektohen Rregulloret e KPM-së. Kjo letër i është dërguar edhe ambasadave në Kosovë”, tha Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Të ngjashme