Ministri i Financave Bedri Hamza, ka pritur në takim deputetin e Bundestagut të Republikës Federale të Gjermanisë, Volkmar Klein, të shoqëruar edhe nga ambasadori gjerman në Prishtinë Christian Heldt, ku diskutuan për progresin të cilin e ka arritur Kosova gjatë këtyre muajve në fushën e financave publike.
Me këtë rast, Ministri Hamza e vlerësoi lartë vizitën e deputetit gjerman në Kosovë, si dhe në emër të shtetit të Kosovës, e falënderoi shtetin gjerman për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që ka me Kosovën.
Gjatë takimit, Ministri Hamza e njoftoi deputetin gjerman Volkmar Klein, për progresin e arritur në Kosovë, për stabilitetin makro fiskal të vendit, si dhe për reformat e deritanishme tatimore, në drejtim të krijimit të një ambienti të favorshëm të operimeve biznesore në Kosovë, në mënyrë që Kosova të jetë sa më tërheqëse për investime të huaja duke përfshirë edhe ato gjermane.
Ministri Hamza po ashtu falënderoj Qeverinë Gjermane për ndihmën e vazhdueshme që përmes projekteve të ndryshme ka ofruar gjatë tërë këtyre viteve, duke përkrahur fuqishëm institucionet shtetërore të Kosovës, dhe në këtë mënyrë duke ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në përmirësimin e standardit dhe të kualitetit të jetës të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, deputeti Klein, vlerësoj lartë angazhimin e Ministrisë së Financave, stabilitetin makro fiskal dhe treguesit tjerë ekonomik e financiar të vendit, si dëshmi e punës me përkushtim, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Ai gjithashtu u shpreh i lumtur lidhur me efektin pozitiv të ndikimit të projekteve të Qeverisë Gjermane për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, dhe duke pasur parasysh këto zhvillime pozitive shprehu gatishmërinë e shtetit Gjerman për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe ofrimin e ndihmës për Kosovën në realizimin e planeve strategjike në fushën e financave publike.