Deputeti i VV-së i përgjigjet opozitës për mocionin: Nëse i keni votat silleni në Kuvend dhe shkojmë në zgjedhje

Prishtinë | 05 Sht 2023 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, i është përgjigjur opozitës për deklaratat për mocionin për rrëzimin e qeverisë.

Ai në një intervistë për Blic, thotë se opozita është bërë qesharake dhe se deklaratat e tilla i ka që nga 14 shkurti e tutje.

Ai ka porositur opozitën që nëse i ka votat, le ta sjellë mocionin e ta rrëzojë qeverinë e të shkohet në zgjedhje, por nëse nuk i ka, le të punojë.

“Këto komente apo këto pretendime të opozitës janë prej 14 shkurtit e tutje, nuk ka ndodhur të fillojë një sezon parlamentar e as ka përfunduar pa deklarime të tilla të opozitës, të cilat janë bërë qesharake, pra vetë opozita po bëhet qesharake me këto lloj deklaratash. Nëse i kanë votat, le ta sjellin mocionin, le ta provojnë, nëse nuk i kanë, mos t’i terrorizojnë qytetarët me deklarata të tilla por le të vijnë të punojnë. Është koha për të punuar, në komisione, në ligje, ligjet nuk janë për qeverinë por për qytetarët e Kosovës, kemi nevojë t’i përmirësojmë reformat për të cilat edhe BE-ja na i kërkon, edhe raportet tjera të auditorit e të tjera që tregojnë se duhen disa reforma dhe hajde t’i bëjmë reformat e jo deklarata të tilla. Nëse i kanë votat, le të shkojmë në zgjedhje, nëse nuk i kanë votat, le të punojnë”, deklaron deputeti Agon Batusha.

Të ngjashme