Dy kushtet e fundit të Bashkimit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave janë kushtet e fundit që duhet të plotësohen, ka thënë për Indeksonline, Njomza Emini, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane.
Ajo ka theksuar se ratifikimi i marrëveshjes së demarkimit me Malin e Zi është kushti kryesor për të marrë dritën jeshile për liberalizimin e vizave, kurse lufta kundër korrupsionit do të jetë një kusht i vazhdueshëm që do ta përcjellë vendin jo vetëm në çështjen e liberalizimit, por edhe në proceset tjera integruese.
“Të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor ballafaqohen me një shkallë të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, porse të gjithë kanë lirinë e lëvizjes me shtete anëtare të Shengenit. Prandaj, mendimi i disave se nuk do të ketë liberalizim pa përfunduar lufta kundër korrupsionit nuk qëndron sepse kjo luftë është permanente dhe kërkon kohë. Gjykoj se aktualisht luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të shumëfishohet, sepse me trendin aktual të luftimit, vështirë se do të arrihen rezultate të prekshme”, ka thënë Emini.
Ndërkaq sa i përket 5 shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, Kryetarja e Komisionit për Integrime, ka thënë se këto shtete nuk do ta bllokojnë Kosovën në rrugën e saj integruese, për faktin se këto shtete në mënyrë verbale e kanë përkrahur integrimin e Kosovës në BE.
“Mendimin tim e bazoj pikërisht në mosbllokimin që i është bërë Kosovës nga Parlamenti Evropian, nga Komisioni Evropian, në gatishmërinë e 5-shes mosnjohëse që të pranojnë një mënyrë ndryshe të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së, duke mundësuar kështu anashkalimin e nevojës për nënshkrimin e kësaj marrëveshje nga secili shtet anëtarë (rrjedhimisht edhe 5-shes mosnjohëse) duke u nënshkruar direkt ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Emini.
Ajo ka shpjeguar se presidencën e BE-së aktualisht e ka Sllovakia, një shtet që nuk ka njohur Kosovën. Përkundër mosnjohjes, në shumë tryeza, shefi i zyrës ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj evropiane.
“Po ashtu vitin e kaluar ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias vizitoj Kosovën dhe shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të ndihmuar Kosovën në integrimet evropiane. Janë vetëm disa shembuj që tregojnë se 5-shja mosnjohëse nuk është e interesuar që të bllokoj Kosovën në rrugën e saj evropiane”, ka thënë Njomza Emini, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane.