Deputetja Musliu e akuzoi për vjedhje dhe mashtrim, kështu ia kthen ministri Murati

Prishtinë | 27 Tet 2022 | 12:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e ka ngritur një çështje që ka të bëjë me bashkatdhetarët.

Sipas saj, këtë vit, për dallim nga viti i kaluar, qeveria ka vendosur që bashkatdhetarët ta paguajnë vetë polisën kufitare e më pas të aplikojnë për rimbursim të mjeteve në mënyrë online.

“I nderuar ministër kërkoj nga ju se sa mërgimtarë kanë bërë pagesën e polisës nga periudha 1 qershor 2022 deri më 31 gusht 2022 dhe sa prej tyre kanë aplikuar online për rimbursim”, e pyeti ajo ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Murati iu përgjigj duke thënë se e kanë ndryshuar procedurën që të evitohet pritja e mërgimtarëve në kufi.

“Siç e theksuat ju, për dallim nga vitet paraprake, këtë vit kemi ndryshuar procedurën që të evitohej pritja në kufi që të nxirrej online pagesa dhe rimburësimi të bëhej online. Sa i përket numrit se sa kanë qenë hyrjet, këtë informatë e posedon MPB-ja ose Byroja që i ka lëshuar polisat. Mund të ju njoftoj për shifrën që kanë aplikuar për rimburësim. Në këtë periudhë që e përmendët është 8845 në tërësi, pasi formulari për rimburësim mbetet i hapur”, tha ai në seancën e Kuvendit.

Më pas, Musliu e pyeti shefin e kuletës kosovare se a është kjo vjedhje dhe mashtrim për qytetarët.

“Ju po harroni që aplikimi ose pagesa nuk është bërë online. Qytetarët kanë pritur në radhë për t’i kryer pagesat. I kanë detyruar me ardhë në zyrat në Prishtinë e veç më vonë është bërë aplikimi online. Bashkatdhetarët tanë janë malltretuar”.

“Kam marrë shkresën nga Byroja e Sigurimeve, për periudhën e cekur janë lëshuar 222 mijë e 274 polisa, të hyrat pa TVSH kanë qenë tre milionë e 533 mijë euro e 782 cent. Vlera e TVSh është 635 mijë, kurse vlera me TVSH 4 milionë e 169 mijë e 166 euro. Ju veç sa raportuar se për t’u rimbërsuar kanë aplikuar tetë mijë e 845 nga gjithsej 2 mjë e 222 vetë që e kanë paguar polisën. A i bjen kjo që i keni mashtruar qytetarët dhe vjedhur?”, shtoi Musliu.

“Unë ju përgjigja pyetjes që patët. S’po e shoh cili është mashtrimi, akuzat nuk përkojnë në vendin ku jemi pasi janë të pabaza. Janë dezinformata ato që thoni”, ia ktheu Murati.

Krejt në fund të fjalës, Musliu e quajti mashtrues recidivist Hekuran Muratin.

Të ngjashme