Java e gjashtë në elitën e futbollit kosovar ka sjellë rezultate mjaftë interesante.
Por derbi i javës së gjashtë në Superligë do të zhvillohet ditën e sotme (e diel), në qytetin e Gjilanit.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita do të jetë nikoqire e Prishtinës.
Pas ndryshimeve në shtabin teknik, në krye të Dritës është tani trajneri nga Shqipëria, Shpëtim Duro.
Drita nuk e ka nisur mirë këtë edicion pasi në pesë ndeshjet e para ka vetëm tri pikë duke pësuar katër disfata.
Në anën tjetër Prishtina nuk ka pësuar ende humbje pasi ka marrë tri fitore dhe ka barazuar në dy takime tjera.
Stadiumi i qytetit në Gjilan pritet të jetë i vogël për tifozët që pritet të mblidhen në shkallët e tij.
Sa herë janë përballur dy ekipet rivale Drita dhe Prishtina në tribuna spektakli ka qenë i garantuar.
Ndërkohë ndeshja tjetër e ditës së diel do të zhvillohet në qytetin e Ferizajt.
Ferizaj do të jetë nikoqir i Gjilanit, në një ndeshje që pritet të jetë e luftuar nga të dyja skuadrat për të marrë pikë.
Të dyja sfidat fillojnë nga ora 15:45.