Dërgimi i ushtarëve në Kosovë, mënyra e ceremonisë përplas presidentin dhe ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë

Prishtinë | 22 Nën 2021 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Ceremonia lamtumirëse për 130 pjesëtarë të Ushtrisë Kroate që janë nisur për në operacionin e KFOR-it në Kosovë u bë të hënën në kazermën Nashice të Kroacisë.

Aty, sipas mediave kroate, i pranishëm ishte presidenti kroat Zoran Milanoviq.

Por sipas tyre, ministri i Mbrojtjes, Mario Banozhiq, kishte anuluar pjesëmarrjen e tij – duke shtuar se me të mbërritur para kazermës, shoferi i tij e ktheu veturën dhe u kthyen nga kishin ardhur.

Po sipas mediave kroate, përkundër një njoftimi të mëhershëm të Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë (MM), ministri Mario Banozhiq anuloi vizitën e tij në lamtumirën e ushtarëve dhe siç raporton Ministria e Mbrojtjes, arsyeja është “një situatë e re në të cilën mediat nuk janë lejuar të futen në kazermë dhe për këtë arsye për shkak se lamtumira e tij nuk është planifikuar dhe as adresimi i tij dhe komandantit të kontingjentit”.

Arsyet e këtij vendimi, nga ana tjetër, Banozhiq i ka postuar në Facebook.

Ai deklaroi: “Ushtria kroate është mbi të gjithë ne politikanët. Ne jemi të gjithë të përkohshëm dhe ushtria do të jetë atje derisa të jetë Kroacia. Unë nuk shkova sepse nuk dua të marr pjesë në lojën e një zotërie që fatkeqësisht nuk i kupton dy fjalitë e para të këtij njoftimi. Uroj anëtarët e kontingjentit të 36-të kroat të jenë të lumtur. Udhëtim dhe mision të suksesshëm. Shihemi së shpejti”, ka shkruar ministri i Mbrojtjes i Kroacisë.

Dhe kjo, sipas mediave kroate ndodhi edhe pse Shërbimi për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Mbrojtjes të dielën ftoi mediat të raportojnë për lamtumirën e organizuar në kazermën në Nashicë, Zyra e Presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq më pas raportoi se “nuk është planifikuar asnjë pjesëmarrje mediatike” në këtë ngjarje.

“Për ngjarjen do ta informojmë opinionin me një komunikatë për media dhe foto”, thuhej në njoftimin e ngjarjes nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kroacisë.

Ndryshe, ekipet e gazetarëve u mblodhën në hyrje të kazermës Nashice, por ata nuk u lejuan të hynin.

Ndërkohë sot në mëngjes, Zyra e Presidentit të Republikës së Kroacisë ka sqaruar për mediat se Presidenti i Republikës dhe Komandanti Suprem i FAK-ut kishin vendosur kështu “duke pasur parasysh përvojat e mëparshme dhe pas bisedave të shumta me oficerë dhe ushtarë”.

“Ngjarja e paralajmëruar u organizua për ushtarët që nisen për në misionin e NATO-s… Një ngjarje kaq e rëndësishme për ushtrinë nuk mund dhe nuk do të përdoret për interesa politike ditore të askujt”, citohet të ketë thënë Zyra e Presidentit të Republikës së Kroacisë. 


Të ngjashme