Dërgohen në Kuvend emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 14:34 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, tha se kanë arritur marrëveshje me Qeverinë e Luksemburgut, për mbështejen e arsimimit profesional në Kosovë, me mbi 8 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka sqaruar se në mbledhjen e Qeverisë kanë dërguar për miratim në Kuvend, emrat e shtatë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Katër prej të emëruarve janë vendorë dhe tre ndërkombëtarë. Vendimi është marrë bazuar në rekomandimet e Komisionit për shqyrtimin e dokumentacionit të të nominuarve dhe vetënominuarve për anëtarë të KShC-së. MAShTI ka ndërmarrë të gjitha veprimet që procesi të jetë transparent.

Komisioni vlerësues ka qenë i përbërë nga 5 anëtarë të nominuar nga institucionet dhe përfaqësuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të shoqërisë civile. Procesi është monitoruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN).

MAShTI do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet që AKA të jetë e pavarur në punën dhe vendimet e saj, derisa pret që puna e tyre të realizohet me profesionalizëm dhe integritet të lartë. Anëtarët e KShC-së zgjedhen me mandat të caktuar 5 vjeçar.

Katër të emëruarit vendorë janë: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Seb Bytyçi dhe Krenare Pireva-Nuçi. Ndërkaq, tre anëtarët ndërkombëtarë, Alison Felce, Cassie L. Bernhardt dhe Werner J. Stueber janë emëruar në konsultim me partnerët ndërkombëtarë respektivisht me ndihmën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Ambasadës Britanike dhe Ambasadës Austriake përkatësisht Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).

Biografi e shkurtër e të emëruarve:

Hasnija Ilazi – Është doktore e Shkencave filozofike dhe vjen nga fusha “Edukimi, shkencat humane dhe artet”. 

Gëzim Tosuni – Është doktor i Filozofisë dhe vjen nga fusha “Shkencat shoqërore, biznesi dhe drejtësia.

Krenare Pireva-Nuçi – Është doktore e Filozofisë në shkenca kompjuterike dhe vjen nga fusha “Shkencat e natyrës, matematika, kompjuterika dhe inxhinieria”.

Seb Bytyçi – Është doktor i shkencave në menaxhment dhe vjen nga fusha “Shkencat shoqërore, biznesi dhe drejtësia”.

Alison Felce – Është doktor i shkencave, me përvojë më shumë se 20 vjeçare në institucionet e arsimit të lartë dhe sigurimin e cilësisë në Mbretërinë Bashkuar. Aktualisht është i angazhuar në Agjencinë për sigurimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë në Mbretërinë Bashkuar.

Cassie L. Bernhardt – Është doktor shkence në edukimin e lartë, sjelljet organizative dhe menaxhment. Është profesor i asociuar në Universitetin e IOWA-s.

Werner J. Stueber: Është doktor shkence me fokus studimi në Pedagogji, sociologji dhe shkenca. Është ligjërues dhe profesor në një numër të madh të universitetesh.

Nagavci sa i përket lëndës së edukimit seksual, tha se tashmë ajo është pjesë integrale kurikulës derisa tha se duhet bashkëpunim i madh me prindërit dhe mësimdhënësit.

Ajo e ka quajtur të domosdoshëm vendimin e fundit për mësim të përshpejtuar në komunën e Kamenicës.

“Janë edhe dy vendime që kanë të bëjnë me fushën e arsimit. U miratua shqyrtimi i nismë ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut për mbështetjen e reformës së arsimit dhe trajnimit profesional”.

“U miratua vendimi për shtatë anëtarët e Këshillit të Cilësisë që është autoritet i pavarur. Puna e anëtarëve të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë është monitoruar nga shoqëria civile”.

“Tash këto janë pjesë integrale e kurikulës dhe një punë më e madhe në mënyrë që asnjë njësi mësimore të mos kalohet pa u ligjëruar”.

Të ngjashme