Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka shqyrtuar raportin e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë periudhës së pandemisë, raporton Ekonomia Online.
Pas diskutimeve të shumta nga anëtarët e komisionit dhe tendencave për gjetjen e zgjidhjes, me një abstenim e asnjë kundër komisioni mori vendim që raporti i Ministrisë se Shëndetësisë të procedohet në Prokurori për të filluar hetimet për dyshimet e keqpërdorime të buxhetit gjatë kohës së pandemisë.
Kryetarja e komisionit, Albena Reshtiaj deklaroi se nuk janë të fushës të analizojnë këto tenderë, andaj kërkoi që të bëhet formimi i një grupi punues për identifikimin e keqpërdorimeve.
Anëtari i komisionit nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli, deklaroi se është kundër dërgimit të raportit të MSh-së në Prokurori, pasi komisioni hetimor i cili pritet të formohet do të merret me çështjen e tenderimeve gjatë kohës së pandemisë.
Derisa u deklarua kundër formimit të grupit punues, ai tha se edhe në qeveritë e kaluara kanë pasur tenderime për urgjenca mjekësore.
“Çdo dyshim i ngritur nga kushdo duhet të kërkojë zbardhje nga organet e drejtësisë. Duhet të kërkojmë transparencë që të dal e vërteta”.
“Kërkesa e PDK-së për krijimin e komisionit hetimor për menaxhimin e krizës Covid-19, jam për hetim, por si komision kemi shumë pune tjera, andaj adresimi i kësaj çështje është juridike dhe nuk i kuptojmë mënyrat e tenderimeve të cilat edhe në të kaluarën kanë ndodhë edhe në kohën e Uran Ismailit”.
“Ndodhin këto sepse shëndetësia ka nevojë për urgjenca mjekësore. Jam kundër formimit të Grupit Punues, të merret komisioni hetimor me këtë çështje”, u shpreh ai.
Bekim Haxhiu nga PDK-ja ishte pro që raporti t’i procedohet prokurorisë nga komisioni, kurse sa i përket komisioni hetimor i cili pritet të formohet theksoi se kjo nuk do të thotë se nuk mund ta mbikëqyrin punën e MSh-së.
“Gjatë kësaj periudhe ka pasur raportime për keqpërdorime nga MSh dhe vlera marramendëse. Bazuar në këto ne nuk mundemi t’i mbyllim sytë, shkeljet janë prezentë meqenëse e kemi raportin”.
“Çështjet t’ia dërgojmë organet e drejtësisë. Numri i kompanive që kanë përfituar janë 13 kompani me fryrje çmimesh abuzive”, tha Haxhiu.
Kurse Fitim Uka tha se Lëvizja Vetëvendosje është pro zbardhjes së rasteve të dyshuara të keqpërdorimit.
Por tha ai, se nëse ka pasur shkelje pse PDK-ja ka pritur deri tani e nuk e ka dërguar në Prokurori.
“Ne si deputetë jemi pro zbardhjes se çfarëdo keqpërdorimit të buxhetit të shtetit. Duhet te jemi proceduralisht në rregull”.
“Në momentin që deputeti Haxhiu thotë se ka shkelje nuk e kuptoj se ende kjo lëndë nuk është dërguar në prokurori, nuk e kuptoj pse është prit deri tani. Mund të formojnë një grup punues, aty mund të bëjmë raportim edhe identifikim të shkeljeve”, tha ai.
Mirlinda Krasniqi-Sopi nga AKR-ja deklaroi se nëse ministri Arben Vitia kishte verifikuar se ka shkelje do ta dërgonte vet në Prokurori. Ajo u shpreh kundër formimit të grupit punues.
“Nëse ministri kishte pare që ka shkelje do ta dërgonte vet në prokurori. Por ne si komision nuk duhet ta kalojmë aq lehtë. Nuk duhet të dalim keq si komision, duhet të shikojmë a jemi mirë proceduralisht. Unë jam pro zbardhjes së rastit, shkelësit të dalin para ligjit”, u shpreh ajo.
Labinote Demi-Murtezi nga VV-ja potencoi se dje anëtarët kanë kërkuar që raporti të dërgohet në Prokurori, kurse të mërkurën po deklarohen se nuk e kanë lexuar raportin.
“Jemi për transparencë. Dje kërkonit me votua kurse sot thoni se nuk e keni lexua. Ne jemi për transparencë deri në keqpërdorimin e fundit. Për çdo lloj hetimi jemi për bashkëpunim në të mirë të qytetarëve”, u shpreh ajo.
Uran Ismaili nga PDK-ja u deklarua kundër lejimit të traditës se çmimeve abuzive në MSh.
Ai kërkoi nga komisioni të vendos se çfarë të bëhet me raportin nga MSh-ja e jo të mblidhet disa herë për një çështje të njëjtë, raporton EO.
“Çmimet abuzive kanë qenë traditë e gjatë në MSh. Me vjen keq me parë një traditë tillë me u kthyer. Nëse ju jeni të bindur se ka pasur fryrje të çmimeve ne duhet t’i jepem një drejtim. Çmimet dinë me u fry shumë shpejt pa kurrfarë parimi e pa logjikë e dinë me u abuzua paraja publike shumë shpejtë”.
“Nuk mund ta perceptojmë se çfarë ngritje çmimesh bëhen e dëmi shkon në emër të pacientët. Besoj që ka mjaftë mekanizma brenda ligjit e politika të caktuara sektoriale. Neve na ka ardhur një material, çfarë duhet të bëjmë ne”.
“Ne mundemi me thane po formojnë komisione e nën komisione, por duhet të kemi ide se çfarë të bëjmë me këtë material. Është e tepërt me u mbledh disa herë për me diskutua për një çështje”, tha Ismaili.
Ekrem Hyseni nga LDK-ja, kërkoi të dalë në votim dërgimi i raportit në Prokurori.
“E njoh ministrin Arben Vitia, nuk duhet të jemi tendencioz e aq më pak politikë. Ta hedhim në votim. Të merret Prokuroria me këtë çështje”, tha Hyseni.