Deri tash gjashtë viktima nga tërmeti i fuqishëm në Shqipëri

Prishtinë | 26 Nën 2019 | 08:39 | Nga Ekonomia Online

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter tronditi në orën 02:54 Shqipërinë, me epiqëndër 16 kilometra nga Shijaku.

Të paktën gjashtë viktima u raportuan nga Ministria e Mbrojtjes, dy gra në Thumanë, tre viktima në rrënojat e një ndërtese në Durrës dhe një qytetar i cili ka rënë nga ballkoni në Kurbin. 

Qindra forca të ushtrisë, policisë dhe forcave civile janë vënë në gatishmëri të situatës në tre zona, ku janë përqëndruar operacionet e shpëtimit, në zonën e Thumanës dhe në dy zona në qytetin e Durrësit, shkruan Euronews Albania.

Nuk dihet ende sa persona mund të jenë nën rrënoja, por disa qindra raportohen nga Ministria e Shëndetësisë se kanë marrë kujdes mjekësor.

Në Spitalin e Traumës janë 135 të lënduar që kanë marrë trajtim, në QSUT janë 60 persona të lënduar, si dhe qendra e koordinimit të emergjencave ka pritur 392 thirrje për ndihmë.

Janë realizuar 91 misione në spitale, sipas ministrisë së shëndetësisë, e cila ka lajmëruar se mjekët kanë kaluar tashmë në gatishmëri të plotë në Tiranë, Durrës dhe zona të tjera, për tu ardhur në ndihmë të lënduarve nga tërmeti.

Autoritetet paralajmërojnë qytetarët të qëndrojnë jashtë objekteve në epiqendër. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme