Dështimet ekonomike që mund ta çojnë në shtëpi Isa Mustafën

Prishtinë | 08 Maj 2017 | 13:40 | Nga

Nëse këtë javë bie Qeveria e Kosovës, siç e kërkon opozita, Isa Mustafa nuk do të humbë vetëm postin e kryeministrit. Ai do të bartë barrën e dështimit për “Trepçën”, licencimi i Telekom-Serbia në Kosovë, humbjen e 30 milionë eurove të PTK-së nga Arbitrazhi në lëndën e “Z-Mobile” e kontratën me “Countour Global” për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Janë këto vetëm disa nga arsyet që kanë listuar partitë opozitare në mocionin që pritet të votohet të mërkurën për mosbesimin e Qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa.

Të gjitha janë arsye ekonomike, që lidhen me profesionin e të parit të ekzekutivit. Ndërsa demarkacioni, që ishte temë për gati gjithë mandatin e koalicionit LDK-PDK, nuk përmendet askund.

Por të mërkurën, Mustafës pritet ti kërkohet llogari për, siç thuhet në dokument, krizën e thellë energjetike në vend dhe dështimin e Qeverisë për anëtarësimin e Kosovës në ENTSO, që do të nënkuptonte fillimin e punës për ndërtimin e interkonjeksionit me Shqipërinë.

Përveç kësaj ekzekutivi akuzohet për zaptimin e bordeve nga partitë në pushtet, për çfarë edhe opozita kërkon që ti ndërpritet mandati.

Kreu i Qeverisë, Isa Mustafa nuk ka pranuar t’i adresohen këto telashe si dështim. “Kam pritur se Mocioni i opozitës do të përmbajë diçka që kemi punuar keq apo s’kemi punuar atë që kemi premtuar. Por, se kësaj Qeverie do të tentohet t’i adresohen keqpërdorimet, vjedhjet, abuzimet e aferat me të cilat asnjë vendim dhe anëtar i kësaj Qeverie s’ka të bëjë, nuk kam pritur!”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook Mustafa.

Ndërkaq, ka ngritur dilemë pa përmendur emra konkret se rrëzimi i qeverisë do të lë pa ndëshkuar dëmin që iu bë Kosovës në Arbitrazh.

“Asnjë mocion kundër Qeverisë nuk i shpëton ata që mendojnë të plaçkitin 30 milion euro nga Telekomi i Kosovës, ata që ia bënë shtetit faturën e pasaportave mbi 5 milion euro apo ata që shpresojnë se do ta plaçkisin shtetin edhe përmes Axosit, nëse kjo Qeveri bie”, ka thënë Mustafa.

Edhe shefi i kabinetit të tij, Sokol Havolli, e ka quajtur lajm të rremë pikën e mocionit për energjinë, raporton Gazeta Fjala. Ai i është kundërpërgjigjur opozitës për krizën e energjisë, duke postuar të dhëna për gjendjen në këtë sektor.

“Faktet janë këto: 1) Kosova në vitin 2016 ka arritur rekordin më të lartë që nga ekzistenca e Kosovës A dhe Kosovës B në prodhimin e energjisë. 2) Kosova në vitin 2016 ka pasur nivelin më të lartë të eksportit të energjisë në periudhën e pasluftës. 3) Kosova në vitin 2016 ka pasur nivelin më të ulët të importit të energjisë. Rrjedhimisht, bilancin më të lartë pozitiv ndonjëherë pas luftës në sektorin e energjisë, Kosova e ka pasur në vitin 2016”, ka shkruar Havolli.

Por ka një temë për të cilën nuk është deklaruar askush nga vendimmarrësit.
Ka 6 muaj që ka hyrë në fuqi Ligji për Trepçën, por Qeveria e Kosovës ende nuk e ka formuar bordin e kësaj ndërmarrjeje, i cili sipas ligjit ka mandatin të ndërmarrë hapa për fatin e Trepçës. Si pasojë, menaxhmenti i ndërmarrjes është bllokuar në të gjitha drejtimet dhe nuk mund ta marr asnjë vendim në mungesë të bordit.

Ndërkohë Trepça është njëra nga pikat kyçe në mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Sa i përket Trepçës, problem ka dal të jetë edhe studimi i fundit i fizibilitetit i porositur nga Qeveria e Kosovës, të cilin e realizoi konzorciumi “HPC dhe Ernst&Young”.

Ky studim nga deputetë dhe menaxhmenti i Trepçës po vlerësohet si tepër i dëmshëm pasi përgjysmon pasuritë minerare të Kosovës.

Nga të gjitha studimet e deritanishme mbi gjigantin metalurgjik është vlerësuar se Kosova ka një sasi prej 62 milionë tonë pasuri minerare. Por në këtë të fundit të porositur nga Qeveria e Kosovës e që ka kushtuar mbi gjysmë milioni euro, pasuria nëntokësore e Kosovës është përgjysmuar në 32 milionë tonë rezerva minerare.

Ndaj këtij raporti kundërshtues i ashpër është treguar drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, i cili thotë se drafti të cilin e ka përgatitur kompania është i pa pranueshëm dhe ka defekte serioze. “Për neve nuk është i bazuar në parametra shkencorë dhe kemi dhënë vërejtje serioze në draft, të cilat presim të merren parasysh”, ka thënë Tmava për Gazetën Fjala.

Sipas tij, nëse nuk merren parasysh këto vërejtje atëherë ky studim i fizibilitetit nuk do të pranohet dhe do të kontestohet me argumente shkencore.
Në draftin që tashmë është përgatitur nuk parashihet ndonjë vizion zhvillimor i gjigantit metalurgjik Trepça. Kompania propozon që të bëhet një rritje simbolike e shkallës së finalizimit në pesë vitet e ardhshme, pastaj të bëhet vlerësimi se si të vazhdohet në të ardhmen.

Sipas menaxhmentit të Trepçës kjo nuk nënkupton vizion zhvillimor të ndërmarrjes siç ka paraparë Qeveria e Kosovës. Rezultatet e studimit të tanishëm kanë nxjerrë se Trepça duhet të mbetet pak a shumë në të njëjtën situatë, duke shitur vetëm koncentratin e nxjerrë nga miniera, ashtu siç edhe bën edhe tani.

Edhe deputeti Raif Qela, i cili në mbledhjen e fundit të Komisionit e ka ngritur këtë shqetësim, ka thënë për Gazetën Fjala se nga analizat që ia ka bërë këtij draftraporti, ka dalë se konzorciumi i kompanive të përzgjedhura për studimin e fizibilitetit, nuk kanë bërë vlerësim adekuat të gjendjes në terren.

“Në qoftë se këto rezultate përmbyllen keq, Kosova ka pasoja nga kjo, sepse konstatohen se ka rezerva më pak se sa ka në të vërtetë dhe si pasojë e kësaj mund të kemi dëme afatgjata”, ka thënë Qela.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme