Kjo qeveri e Kosovës nuk ka rezultate të prekshme në disa fusha: infrastrukturë, arsim, shëndetësi, politikë të jashtme dhe zhvillim ekonomik që rrit mirëqenien e qytetarëve. Përgjegjësia kryesore për këtë bie mbi shefin e qeverisë.
Dështimet tani – në prag të zgjedhjeve – nuk mund të mbulohen me lajme pompoze se po hidhen themelet e “industrisë ushtarake”. Në të vërtetë ishte vendosur të krijohet një komision ndërministror për vlerësimin e procedurave, negociatave… I ngjan atij premtimit të para disa viteve kur Brezovica do të bëhej qendra më e madhe e skijimit në Europën Juglindore.
Para se të bëhen hapa të tillë kinse kolosalë në “industrinë ushtarake”, do të ishte mirë të ndërtohej ajo ura e famshme te liqeni i Badovcit. Ky është një nga 1001 shembujt ku mes premtimit dhe realizimit qëndron i hapur një hendek i madh.
Dhe hendeku nuk mbyllet nëse shefi i qeverisë nuk i sheh të metat dhe nuk i tërheq konsekuencat.
Një nga këto konsekuenca do të ishte menaxhimi i ekipit qeverisës dhe rifreskimi i tij.
Kjo është dashur të ndodhë qëmoti. Në politikë (sidomos), kryeneçësia që shitet si parimësi është ves, jo virtyt.