Mbi 200 milionë euro i ka kushtuar Telekomit të Kosovës shfrytëzimi i kodit telefonik të Monakos (+377) për 18 vjetët e pasluftës.
E me gjithë që Kosovës i është ndarë kodi i saj shtetëror para më shumë se 1 viti, Telekomi nuk i ka kryer obligimet e veta për implementimin e plotë të tij, shkruan sot Koha Ditore.
Si pasojë e kësaj, ndërmarrja publike e cila është në prag të falimentimit, do të vazhdojë t’i paguajë miliona euro “Monaco Telecomit” edhe për të paktën 5 muaj.
Një javë më parë, Bordi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka vendosur që datën e paraparë për përfundimin e transferimit të plotë në kodin e ri, ta shtyjë nga 1 qershori sa ka qenë, deri më 31 tetor të këtij viti.
Në vendimin e tij, ky autoritet arsyeton se operatorët janë duke u ballafaquar me disa sfida gjatë kalimit në kodin e ri, e në veçanti nga Telekomi i Kosovës, për shkak të gjendjes së rënduar financiare në të cilën aktualisht është.