Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, sërish ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit A.H., për mospërfillje të urdhërit gjyqësor, shkaku i mungesës së prokurores Rukije Shasivari dhe dëshmitarit A.B.
Në lidhje me mungesen e prokurores Shasivari, kryetari i trupit gjykues, Shefqet Baleci bëri të ditur se para fillimit të shqyrtimit gjyqësor, e ka telefonuar dhe e ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor për shkak se ka pesë shqyrtime gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në seancën e sotme është planifikuar të dëgjohet edhe dëshmitari A.B., për të cilin kryetari i trupit gjykues bëri të ditur se familjarët e tij kanë lajmëruar Policinë e Kosovës se ai gjendet jashtë shtetit.
Po ashtu, në seancë nuk prezantoi as përfaqësuesi i të dëmtuarës E.R., avokati Gazmend Halilaj, pasi që i njëjti ishte njoftuar nga gjykata se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit, pasi që mungon prokurorja për arsyet e lartcekura.
Në këto rrethana, seanca e sotme u shty për një datë tjetër.
Seanca e 5 shtatorit 2024, kishte dështuar në mungesë të dëshmitarit A.B., kurse ajo e 7 tetorit 2024 u shty në mungesë të prokurores Rukije Shasivari dhe dëshmitarit A.B.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – dega në Drenas më 2 mars 2023 kishte shpallur fajtor A.H., duke i shqiptuar të njëjtit dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 muaj.
Kurse, në procedurën ankimore Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 28 shtator 2023 kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dënuarit dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, duke vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.
Ndërsa, Gjykata Supreme më 1 mars 2024 me miratimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit, kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe aktgjykimin e shkallës së dytë, duke kthyer çështjen në rigjykim.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit A.H., (ish-kunati i të dëmtuarës) për shkak se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti më 24 maj 2022 në komunën e Drenasit, në afërsi të shtëpisë së të dëmtuarës E.R., me dashje nuk e kishte përfillur aktvendimin aktiv të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Përmes këtij vendimi, të akuzuarit H., i ishte caktuar masa urdhër për mbrojtje edhe pse kishte qenë i njoftuar me përmbajtjen e këtij aktvendimi me të cilin të njëjtit i ndalohej t’i afrohej të dëmtuarës E.R në distancë prej 10 metra, në vendbanimin e saj në fshatin Fushticë e Epërme, ndërsa në vende publike 100 metra.
Sipas aktit akuzues, i akuzuar H., derisa ishte duke e drejtuar veturën i afrohet të njëjtës afër gjysmë metër duke vozitur vrullshëm e duke i frikësuar dy vajzat e mitura me të cilat e dëmtuara kishte qenë duke ecur në këmbë, edhe pse sipas urdhrit mbrojtës i ndalohet që t’i afrohet dhe ta shqetësojë, ofendojë, përulë, godas, kërcënojë, sulmojë, ndjek, përcjellë, shkatërrojë apo kërcënojë pronën persoale ose të familjarëve të saj sipas vendimit të gjykatës.
Me këtë, H., po akuzohet se kishte kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.