Devolli Corporation në Pejë ka rritur prodhimin në 44 mijë tonë për pjekjen dhe bluarjen e kafes

Prishtinë | 26 Maj 2022 | 22:14 | Nga Ekonomia Online

Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka dhënë një lajm të mirë.

Ai ka thënë se Devolli Corporation në Pejë, ka investuar në kapacitete të reja prodhimi në fabrikën për pjekjen dhe bluarjen e kafes, e cila është një nga më të mëdhatë në Evropë.

Panxha ka treguar se nga 3.200 tonë sa e kishte kapacitetin e mëhershëm, kompania e ka ngritur në 44 mijë tonë në vit.

“Në një fabrikë të vetme në Kosovë do të piqet sasia e kafes baras me 8 për qind to prodhimit vjetor të Italisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Mes tjerash, Panxha ka thënë se nëse kjo kompani eksporton 95 për qind të kësaj sasie, ndikimi në ekonominë e Kosovës do të jetë i jashtëzakonshëm.

“Vetëm eksportet do të rriten për rreth 300 milionë euro në vit. Përveç rritjes direkte të punësimit, ndikimi do të jetë zingjiror. Do të përfitojnë industritë përcjellëse si paketuese, transporti, shërbyese etj. Plus tatimi shtesë që do t’i paguhet shtetit tonë”.

“Kush po thotë në Kosovë nuk ka lajme të mira. Një gjë e di, Dukagjinit do ti vjen era e mirë, era kafe e pjekur!”, ka shtuar ai.

Të ngjashme