Një ndejë ditëlindjeje e organizuar për një mace, qoi në shpërthimin e COVID-19 që infektoi më shumë se dhjetë persona.
Sipas gazetave “The Sun” dhe “Newsweek”, ndeja e ditëlindjes së kafshës shtëpiake kishte zënë vend në Santo Domingo të Kilit, dhe mbi dhjetë mysafir të ftuar kanë rezultuar pozitiv pas testimit për koronavirus. Ndjekësit e ditëlindjes së maces më pas i kishin infektuar edhe anëtarët e tjerë të familjes dhe miqtë e tyre.
Francisco Alvarez, sekretar rajonal i Ministrisë së Shëndetësisë, e ka konfirmuar lajmin e shpërthimit të virusit në një deklaratë publike, dhe tha se në fillim nuk e kishte besuar lajmin me të dëgjuar çfarë kishte ndodhur.
“Kur dëgjova se dhjetëra njerëz i kishin shkelur masat anti-Covid për një ditëlindje të maces, mendova se ishte shaka dhe se në fakt ata po mundoheshin të fshihnin diçka tjetër. Por në fakt, lajmi doli të jetë i vërtetë. E kemi konfirmuar atë së paku nga gashtë prej pesëmbëdhjetë personave të infektuar”.
Alvarez gjithashtu e konfirmoi lajmin se macja nuk kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.
“Ishte organizatori i ditëlindjes, pra pronari i maces ai i cili rezultoi të jetë pacienti zero”, ka përfunduar ai.
Por siç kanë zbuluar hulumtimet e mëhershme, macet në fakt mund të infektohen me koronavirus. Në prill të vitit të kaluar, dy mace në New York kishin rezultuar pozitiv me COVID-19, duke u bërë kafshët e para shtëpiake në Amerikë të infektuara me këtë virus.
Sidoqoftë, Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka bërë të ditur në një komunikatë për media, se nuk ka fakte që kafshët shtëpiake luajnë rol në përhapjen e virusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndër të tjera Alvarez tha se po e ka vështirë ta kuptojë, pse qytetarët vazhdojnë të marrin pjesë në ngjarje të këtilla, pavarësisht paralajmërimeve nga Qeveria për të mos vepruar kështu, shkaku i pandemisë.
Deri më tani, së paku 703.178 persona në Kili kanë rezultuar pozitiv me virusin vdekjeprurës, derisa afërsisht 18 mijë njerëz kanë vdekur.