Agjencia Kosovare e Privatizimit njofton opinionin e gjerë publik se ka pranuar dy Aktvendime të lëshuara nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës me çka mundësohet përmbyllja e procesit të likuidimit për ndërmarrjen shoqërore “Shoqata AutoMoto”, me seli në Prizren dhe për Kooperativën Bujqësore “Vitomirica”, me seli në Vitomiricë të Komunës së Pejës.
Agjencia, në pajtim me Ligjin, më parë ka parashtruar kërkesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK) për aprovim të Raporteve Përfundimtare dhe rrjedhimisht lejimin e mbylljes së procesit të likuidimit për dy ndërmarrjet, ndërsa Dhoma e Posaçme përmes Aktvendimeve i ka aprovuar këto raporte përfundimtare dhe ka dhënë leje për mbylljen e procesit të likuidimit për NSh/KB të lartcekura.
Raportet Përfundimtare janë postuar në web faqen zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (www.pak-ks.org).
Njëkohësisht, Gjykata ka caktuar një afat prej 21 ditë për ndonjë ankesë eventuale ndaj këtyre aktvendimeve dhe pas kalimit të këtij afati këto aktvendime bëhen të plotfuqishme dhe njoftimet për përmbyllje të likuidimit për këto dy subjekte AKP do t’ia dërgoj institucioneve relevante ashtu siç parashihet me Ligjin e AKP-së.