Asambleja Parlamentare e NATO-s ka publikuar së fundi një raport “të ashpër” për Turqinë.
Deri tani NATO-ja nuk kishte sjellë asnjë raport për përkeqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit në vend, pavarësisht se Turqia është një prej shteteve më të mëdha të saj.
Dhe raporti ka përmendur ndikimin e gjendjes së jashtëzakonshme, eliminimin e mediave të pavarura dhe shqetësime të tjera të lidhura me to.
Por nuk ka përmendur shkeljet e tjera të ashpra – sidomos fatin e mijëra personave që ishin burgosur me akuza të rrejshme në fushatën e nisur pas dështimit të puçit – përfshirë edhe vetë zyrtarët e NATO-s, përcjell sot Koha Ditore, hulumtimin e Euobserverit.
Dhe një prej tyre është zyrtari i NATO-s, Cafer Topkaya, shtetas turk që po shërbente në Belgjikë në kohën e përpjekjes për grusht shtet më 2016.
Në tetor të vitit të kaluar i ishte thënë që të kthehej në vendlindje për një mbledhje “urgjente”. Ai kishte për qëllim të qëndronte vetëm dy ditë, por pas gjashtëmbëdhjetë muajsh po arratisej nga Turqia, pasi ishte mbajtur në burg pa kurrfarë dëshmish.
NATO-ja nuk e kishte pranuar kërkesën e tij për ndihmë. Dhe ky është rrëfimi i Caferit.
Cafer ka ndjekur akademinë ushtarake turke prej vitit 1992 deri më 2000, kur kishte diplomuar. Atëherë do t’i bashkohej shërbimit ushtarak.
Pasi ia kishte kushtuar pesëmbëdhjetë vjet të tjera flotës ushtarake, ishte ngritur në pozicion duke e vendosur në Belgjikë në selinë e NATO-s. Ishte zhvendosur atje me familje – gruan dhe tre fëmijët e tij. Atje jetuan një vit, gjatë viteve 2015-2016.