Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të rinisë para vjeshtës. Lobimet perëndimore ishin për ulje tensionesh në rajon, por zhvillimet e fundit kanë bërë që gjuha e vjetër të rikthehet në vizionet e reja.
Beogradi ndodhet në një situatë tranzicioni, kur kryeministri Aleksandar Vuçiq pritet të marrë drejtimin e Presidencës. Të gjithë besojnë se zgjidhja do të vijë nga qendra e BE-së.
Dejan Anastasijeviç i së përjavshmes “Vreme”, i cili ndjek situatën në Kosovë, thotë se dialogu ka nisur pa vullnet politik dhe se mekanizmat e BE-së kanë shteruar për të bindur palët. Në vjeshtë, beson ai, do të jenë takimet e para.
“Nuk besoj se dialogu do të ndërpritet, por do të jetë shumë i ngadaltë dhe zbatimi i marrëveshjeve do të shtyhet. Nuk besoj se do të ketë formë tjetër dialogu pasi është investuar shumë, por duket qartë që palët nuk kanë interes”, deklaron Anastasijeviç, shkruan Top Channel.
Marko Savkoviç, nga Fondi për Politikat e Veçanta, thotë se janë shkëmbyer akuza të ashpra mes shqiptarëve dhe serbëve, por dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të ndërpritet.
“Është e rëndësishme që të mbijetojmë deri në përfundim të procesit të Brexit. Procesi i zgjerimit do të ishte sinjali më i mirë se ky është një proces i rëndësishëm. Procesi i Berlinit duhet të vazhdojë dhe angazhimi i të gjithë politikanëve të rajonit mund të sjellë shpresë”, thotë Savkoviç.