Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar tryezën e diskutimit “E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi: perspektiva e qytetarëve”.
Në diskutimin që u mbajt në Kamenicë merrnin pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile e qytetarë, raporton Ekonomia Online.
Jeta Krasniqi, nga KDI, tha se diskutimet me qytetarët janë të nevojshme për të kuptuar edhe për çështjen e kufirit në Preshevë.
Ahmet Isufi, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se dialogu i deritanishëm nuk ka qenë transparent dhe kryesisht është biseduar për temat e brendshme të Kosovës.
Ai shtoi se duhet të ndryshohet formati i dialogut Kosovë-Serbi dhe të ketë llogaridhënie para Kuvendit të Kosovës.
“Konsiderojmë se duhet të ndryshohet formati i bisedimeve. Kërkojmë që të ketë po ashtu e dhe llogaridhënie për këto bisedime. Ne jemi për një dialog që është në të mirën e Kosovës dhe shtetit të saj. Duhet të ketë tutje transparencë e plotë lidhur me bisedimet e njëkohësisht t’i raportohet organit më të lartë të shtetit, Kuvendit të Kosovës për çdo marrëveshje të mundshme për diskutim paraprak”.
Isufi tha se në dialogun dypalësh nuk u diskutua për disa tema të rëndësishme për Kosovën. “Nuk u diskutua për fondet e grabitura nga Serbia, e dëmet që janë shkaktuar nga ta. Njëkohësisht edhe diplomat nuk janë pranuar ashtu siç ka qenë marrëveshja. E po ashtu dhe çështjet tjera që janë arritur në marrëveshje mes Kosovës e Serbisë”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, tha se duhet të ketë një hetim parlamentar për çfarë është arritur marrëveshje, gjatë dialogut.
”Tashmë shteti i Kosovës s’mund të marrë asnjë vendim të rëndësishëm për vetveten pa pajtim të plotë me Beogradin. Kemi një Listë Serbe, e cila është dorë e zgjatur e Beogradit. Vetëvendosje ka thënë se duhet të kemi disa parakushte para se të fillojë dialogu”.
“Është mirë të ketë një hetim parlamentar për të pasur një transparencë rreth dialogut të deritanishëm, për të ditur se cilat janë marrëveshjet e deri tanishme të zyrtarëve që përfaqësonte Kosovën në dialog me Serbinë”, theksoi Sevçla.
Fatmir Xhelili, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se tema e dialogut është sfidë për Kosovën.
“Kur është fjala të dialogu duhet të kemi parasysh relacionet mes Kosovës dhe Serbisë. Askush nuk ka pritur që këto bisedime që të përfundojnë shpejt dhe të përfundojnë me ato objektiva që grupi ynë i bisedimeve i ka pasur parasysh dhe iu ka dhenë përparësi. Ne kemi pasur obligime që të qëndrojmë së bashku. Qëllimi kryesor i dialogut është përfundimi final për njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Prej gjithë atyre marrëveshjeve që janë arritur, natyrisht shumica janë në realizim e sipër. Ndër pengesat e realizimit duhet të kemi parasysh disa faktorë, por edhe ndihmën e BE-së ndaj nesh, por edhe relacionet e shteteve të tjera, duke përfshirë këtu edhe ShBA-në në relacion me BE-në”.
Xhelili theksoi se Kuvendi i Kosovës është vendi i vetëm ku ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare.