Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor deklaroi sot në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se është i shqetësuar për disa procese dhe deklarata në Ballkanin Perëndimor.
Pahor theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian do të ishte vendimtar për paqen dhe sigurinë, si dhe për mirëqenien e njerëzve në këtë rajon.
“Faleminderit presidentit Vuçiq për këtë bisedë dhe për përmendjen e ushtarëve sllovenë në Kosovë, dhe unë do t’i vizitoj nesër”, tha Pahor.
Ai shtoi se gjatë vizitës së tij në Kosovë do të kërkojë të zbatohet gjithçka që është rënë dakord në marrëveshjen e Brukselit.
Pahor tha se është i shqetësuar edhe sepse dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë dhe shtoi se ai duhet të vazhdojë.
“Sllovenia është një përkrahëse e madhe e atij dialogu dhe ende e mbështet atë”, tha ai, duke theksuar se zvarritja e këtij procesi nuk i kontribuon askujt.
“Bisedimet duhet të vazhdojnë për të rregulluar marrëdhëniet në mënyrë që të mos rrezikohet paqja, siguria dhe bashkëpunimi në rajon”, tha Pahor.
Kujtojmë se nesër Kosova do të vizitohet nga presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.
Pahor do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti, kjo është bërë e ditur nga Zyra e Presidentit të Sllovenisë.