Sot në kazermën “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, në Ferizaj, u mbajt ceremonia e diplomimit të 61 rekrutëve të FSK-së, nga radhët e komunitetit jo shumicë, pas kryerjes së kursit bazik, “Gjenerata e parë 2017”.
Në ceremoninë e diplomimit të rekrutëve mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK) Haki Demolli, komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK-së) gjenerallejtënant Rrahman Rama, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, oficerë, nënoficerë dhe familjarë të rekrutëve dhe të ftuar të tjerë.
Në ceremoninë e diplomimit të pjesëtarëve të FSK-së nga komuniteti jo-shumicë, me një fjalë përmbajtjesore u paraqit presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, njëherësh edhe Komandant Suprem i FSK-së, i cili përgëzoi rekrutët e rinj të FSK-së nga radhët e komuniteteve jo- shumicë për zgjedhjen që ata kanë bërë për t’i shërbyer vendit si ushtarë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Me këtë rast, Presidenti i Republikës, Thaçi foli për të ardhmen e FSK-së, pikërisht për transformimin e saj, ku ndër të tjera tha: “Në përputhje me rekomandimet e Rishikimit të Sektorit të Sigurisë dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë po punojmë për ta përfunduar transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës’’.
Në fund, zotëri Hashim Thaqi tha se transformimi i FSK-së është një proces që ka kaluar në faza të ndryshme, por gjithmonë drejt arritjes së qëllimit të qartë dhe në dobi të qytetarëve tanë pa asnjë dallim, duke theksuar gjithashtu se janë arritur edhe hapat final dhe se këta hapa do t’i hedhim së bashku dhe në koordinim të plotë me aleatët tanë ndërkombëtarë, – u shpreh z. Thaqi .
Ndërsa, ministri në largim i MFSK-së, Haki Demolli, me rastin e diplomimit të rekrutëve, veç tjerash tha: “Sot, në këtë ceremoni rasti, kam nderin, që t’ju uroj certifikimin me sukses “Gjeneratës së rekrutëve të FSK-së të vitit 2017”, të stërvitur dhe të trajnuar nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS-së). Certifikimi i 61 rekrutëve, pas përfundimit të trajnimit intensiv 9-javor, është një hap i radhës i rëndësishëm në ngritjen dhe plotësimin e kapaciteteve njerëzore të FSK-së, që krijon bazën e mirë për ecjen tonë drejt realizimit të objektivave tona ligjore, e që janë krijimi i një forcë operacionale, fleksibile dhe profesionale e cila do të jetë e aftë t’i realizojë me përkushtim dhe përpikëri të gjitha detyrat e saj. Po theksoj se certifikimi i sotëm e ka të veçantën e vet, sepse përmes tij, jo vetëm që po bëhet plotësimi i kapaciteteve njerëzore të strukturës së FSK-së, por po bëhet edhe përmbushja e numrit të pjesëtarëve të FSK-së nga radhët e komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë, duke pasqyruar në mënyrë të kënaqshme diversitetin etnik të qytetarëve të shtetit tonë. Rekrutët e certifikuar sot janë kryesisht nga komuniteti serb dhe malazez, fakt ky, që na gëzon shumë, sepse dëshmon se FSK-ja është bërë forcë e dashur dhe e besueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, forcë shumetnike, e hapur për të gjithë dhe në shërbim të të gjithëve”.
Ministri Demolli në fund falënderoi edhe familjarët e rekrutëve, të cilët inkurajuan fëmijët e tyre që të bëhen pjesëtarë të FSK-së, duke bërë kështu veprimin e duhur.
Në fund, u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave, ku rekrutët bënë Betimin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.