Disa elemente të propagandës post-truth të LVV-Kurtit

Prishtinë | 18 Nën 2024 | 18:37 | Nga Milazim Krasniqi

  1. Nga LVV-Qeveria faktet nuk pranohen. Ato injorohen, minimizohen, deformohen. Ata që paraqesin fakte, shpallën tradhtarë. E pakta, shpallen zbatues të “luftës hibrike.” Fjala vjen, ata që ofrojnë shifra e fakte për inflacionin, punësimin, emigrimin, korrupsionin, buxhetin, të gjithë sulmohen ad hominem, me etiketa të ndyra.
  2. Përgjegjësia në LVV nuk adresohet, sado e madhe dhe e faktuar që të jetë. Psh. Martin Berishaj, Nagip Krasniqi, Ridvan Muharremi, Rozeta Hajdari, etj., mbrohen nga kryetari i LVV dhe nga të gjitha nivelet e militantëve të LVV.
  3. Deklaratat dhe veprimet e bëra në të kaluarën tentohet të mbulohen duke bërë të kundërtën e tyre tash, (psh. duke nderuar me pompozitet për flamurin, duke folë me triumfalizëm për sovranitetin, duke lavdëruar policinë, etj. Bindja e tyre është se njerëzit i kanë harruar qëndrimet e dikushme të LVV. Nëse nuk i kanë harruar, duhet t’u fshihen nga kujtesa me propagandë të zhurmshme.
  4. Miti per Albinin se gjoja lexon shumë, se gjoja është i pakorruptuar, se gjoja nuk lëshon pe, ka triumfuar deri para pak javësh, falë aftësive të tij për të prodhuar emocione dhe makinerisë së militantëve e botëve të LVV. Por ka filluar t’i zbërthehet mashtrimi. Me gjasë do të zbërthehet deri në fund, sepse rrethanat për të janë rënduar (sanksionet e BE-së dhe fitorja e Trampit në SHBA e kanë vu në siklet.)
  5. Propaganda e LVV gjithnjë ka synuar të nxitë përcarjen e qytetarëve, sepse përçarja e tyre e lehtëson injektimin e të pavërtetave. Kur ka përçarje e armiqësi, nuk ka disponim për ta kërkuar të vërtetën.
  6. Propagandohet sovranizmi demek absolut i Kosovës, ndërsa Kosova është nën rezolutën 1244, me prezencë ushtarake të huaj, nuk është anëtare e OKB-së. Njerëzve u pëlqen ta dëgjojnë këtë prandaj propaganda e LVV i mëshon këtij fakti. Në veri paqja ruhet vetëm falë KFOR-it, por propaganda e LVV e minimizon tërësisht atë rol të KFOR-it, duke zmadhuar bëmat e qeverisë.
  7. Propaganda e LVV afirmon veprime politike të veçanta, veprime të ndara e politikën unike qeveritare. Fjala vjen, tema e urës se Ibrit, rritja e pensioneve, diaspora, janë tema që ngrihen e ulen, thjesht për efekte emocionale.
  8. Batutat dhe shprehjen jologjike të Kurtit janë si pjesë e propagandës post-truth, fjala vjen shpehjet “me koordinim a pa koordinim”, “e fundit dhe që është e para”, etj,, të cilat prodhojnë efekte emocionale me anën e ngatërresës semantike.
  9. Një element i propagandës së LVV është bërë obsesioni për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Tipa joseriozë, si Donika Gërvalla që kërkon 70% të votive, ose Mefail Bajcinovci e Arber Rexhaj, duken si argëtues të masave, por në fakt janë mashtrues, pasi flasin për gjera që nuk kanë ndodhë dhe flasin pa asnjë analizë logjike.
  10. Premtimet e pambajtura të LVV e të qeverisë Kurti mbulohen duke akuzuar opozitën dhe ish qeveritë e kaluara si “shkatërruese të shtetit.”
  11. Përsëritja e rrenave synon ta lodhë dëgjuesin, t’ia topitë reagimin dhe ta bëjë të ndihet i pafuqishëm. Prandaj aktivizohen botët që fyejnë dhe aktivistët që fuqizojnë rrenën e lancuar. Thuhet se nuk ka korrupsion në qeverine Kurti edhe në ditën kur arrestohen zyrtarë qeveritarë për korrupsion. Ose thuhet se dokumentet e publikuara nuk janë origjinale.
  12. Populistët e LVV nuk besojnë në shtetin e Kosovës. Kjo ka një histori refuzimi ndaj simboleve e akteve të pavarësisë, por edhe të qeverisjes pa përgjegjësi shtetërore. Psh. Rezervat e shtetit i lihen në dorë personit privat, FSK ushqehet nga kuzhiniete të Mensës së Studentëve e të burgjeve.
  13. Mbjellja e dyshimit nga qeveritarët për sistemin e drejtësisë është pjesë e propagandës dhe e politikës qeveritare dhe synon që të frikësojë gjyqtarët dhe të topitë opinionin publik.
  14. Propaganda e LVV ka obsesion që të prodhojnë senzacion. Ata e dinë se pjesa injorante e publikut e pëlqen senzacionin, gënjeshtren, prandaj ia servojnë. Siç ka thënë Lasgushi në një rast, “mut kërkuan, mut u dhashë.” Këtu edhe nuk kanë aq faj. Nëse publiku e kërkon senzacionin, mashtrimin, ia paftë hajrin. E sigurt është se mjeshtër më të mirë për manipulim, në skenën politike të Kosovës nuk gjejnë.

Të ngjashme