Aksioni në ARBK, dyshime për keqpërdorim të detyrës e falsifikim të dokumenteve

Prishtinë | 18 Mar 2026 | 10:13 | Nga Drita Dërmaku

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar të mërkurën një aksion në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, raporton Ekonomia Online.

Sipas njoftimit, bastisja është kryer mbi dyshimet për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, dhe njësitë e tjera mbështetëse, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion. Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,  për shkak të dyshimeve  për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së.  Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Të ngjashme