Diskriminohen pensionistët

Prishtinë | 07 Pri 2017 | 10:10 | Nga

Shteti i Kosovës nuk u garanton pensione tjera përfituese qytetarëve të saj përveç pensionit bazë.

Shumë përfitues të pensioneve janë hequr nga skema pensionale, pasi përveç pensionit kontributpagues kanë qenë të përfshirë edhe në skema tjera pensionale, shkruan Indeksonline.

Madje pretendohet se pensionistët janë hequr nga listat e përfituesve pa ndonjë paralajmërim, ku niveli i pagesës ka qenë më i lartë në pensionet tjera ku kanë qenë përfites sipas ligjeve të veçanta.

Kështu thotë një pjesë e raportit të avokatit të popullit, të cilin e ka siguruar Indeksonline.

“Gjatë këtij viti Avokati i Popullit, ka pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave të cilat janë drejtuar kundër MPMS-së e të cilat kanë të bëjnë me heqjen nga skema pensionale e pensionistëve të cilët përveç pensionit kontributpagues kanë qenë të përfshirë edhe në skema tjera pensionale të rregulluara me ligje të veçanta”

Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti thotë se: “personat të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret për pension kontributpagues të moshës, nuk mund të jenë edhe shfrytëzues të ndonjë skeme tjetër pensionale të përcaktuar me këtë ligj”

Ndërkohë ligji përcakton edhe kufizimet në numrin e pensioneve të paguara.

“personat të cilët janë përfitues të cilit do pension të skemave pensionale të përcaktuara me këtë ligj, nën asnjë rrethanë, nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni nga skemat e veçanta pensionale të cilat menaxhohen dhe administrohen nga Ministria.

Hesht MPMS

Indeksonline ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për të kuptuar se mbi çfarë baze pensionistët janë hequr nga lista e përfitimeve në skema tjera pensionale dhe sa është numri i pensionistëve të larguar prej listave të përfitimit.

Mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje prej këtij institucioni, pavarësisht se pyetjet janë dërguar që tre ditë.

Në anën tjetër avokati i popullit trajtimin e pensionistëve në bazë të ligjeve të lartpërmendura e sheh si diskriminim, pasi sipas këtij institucioni pensioni kontributpagues është e drejtë e fituar me kontributet gjatë përvojës mbi 15 vjeçare në punën e tyre.

“… Kurse pensionet e fituara me ligje të veçanta si 68 pensioni për personat e verbër apo për mos aftësi, pensionet të cilat rregullojnë të drejtat dhe benificionet e posaçme për anëtarët e familjeve të dëshmorëve, invalidët, veteranët, invalidët e vdekur, pjesëtarëve të marrë peng ose të zhdukur të UÇK-së dhe anëtarëve të familjeve të tyre, janë pensione të cilat një person apo familje kompensohet për një arsye të veçantë prandaj, përjashtimi i cilitdo person nga skema pensionale diskriminon përfituesit e pensioneve në raport me personat e tjerë të cilët janë përfitues të atij pensioni sepse në kushte të barabarta ata do të trajtoheshin njëjtë”, thotë zyra e avokatit të popullit.

Për më shumë, neni 21 i Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti përcakton kushtet për ndërprerje të pensionit bazë të pleqërisë apo pensionit kontributpagues dhe që në asnjë rast kusht për ndërprerje të pensionit bazë të moshës apo kontributpagues nuk është përfitimi i ndonjë pensioni tjetër të fituar me ndonjë ligj tjetër të veçantë, transmeton Indeksonline.

Avokati i Popullit: Pensionistëve po u cenohet dinjiteti njerëzor

Shqetësuese nga avokati i popullit është parë edhe obligimi i pensionistëve që ç’do gjashtë muaj të lajmërohen në zyret përkatëse për të dëshmuar se janë gjallë, ose në të kundërtën largohen nga skema pensionale.

Me këtë avokati ka vlerësuar se pensionistëve u cenohet dinjiteti njerëzor dhe e drejta në pensione.

“Për shkaqe të ndryshme si të moshës, sëmundjeve dhe pamundësisë për të lëvizur ndodh që ata të mos jenë në gjendje të lajmërohen brenda afatit të përcaktuar nga MPMS, prandaj largohen nga lista e skemës pensionale. Lidhur me këtë çështje Avokati i Popullit ka pranuar shumë ankesa dhe pas hetimit të tyre ka vlerësuar se pensionistëve u cenohet dinjiteti njerëzor dhe e drejta në pensione”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme