Ambasadori gjerman në Serbi, Axel Dittmann ka thënë se për Serbinë nuk ka kushte të reja për sa i përket Kosovës, ndërsa në fund të procesit të afrimit me Bashkimin Evropian, Beogradi do të duhet ta ndjekë politikën e Brukselit ndaj Rusisë.
I pyetur nëse Serbia, në fund të rrugës së saj evropiane, do të duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, Dittmann ka thënë se korniza e përbashkët negociuese është krejtësisht e qartë – qëllimi është normalizim i plotë i marrëdhënieve në formën e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme.
“Përveç këtyre, kushte të reja nuk ka”, ka deklaruar ambasadori gjerman për të përditshmen serbe “Blic”, transmeton Koha.net.
Sipas tij, Gjermania ofron përkrahje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por mbi të gjitha ofron përkrahje në reformat në Serbi, veçanërisht në lidhje me kapitullin e 23-të.