“Djegien e ambasadës amerikane në Beograd e kishte organizuar shteti serb”

Prishtinë | 11 Kor 2017 | 17:51 | Nga

Prokuroria e Lartë në Beograd ka ngritur aktakuzë kundër pesë policëve serbë që kanë qenë në detyrë më 21 shkurt të vitit 2008 – ditën kur protestuesit në Beograd kanë djegur ambasadën amerikane.

Sulmi ka ndodhur pas një proteste, të cilën Qeveria e Serbisë, me në krye kryeministrin e atëhershëm, Vojisllav Koshtunica, e ka organizuar katër ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë raporton se i akuzuari i parë është Sllobodan Vujolliq, i cili, në shkurt të 2008-ës, ka qenë shef i policisë në Beograd dhe ka udhëhequr shtabin e formuar për protestën “Kosova është Serbi”.

Aktakuza nga Prokuroria, e ngritur më 20 prill të këtij viti, ka arritur në Gjykatën e Lartë në Beograd më 8 maj, por ende nuk ka hyrë në fuqi.

Derisa kjo nuk ndodh, gjykata nuk mund të thotë asgjë përveç të pohojë pranimin e aktakuzës, iu tha Shërbimit të Ballkanit të REL.

Pas nëntë vjetësh, për herë të parë ngrihet tema e përgjegjësisë së aparatit shtetëror, tha për Radion Evropa e Lirë Sasha Gjorgjeviq, studiues në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme