DnV: Partitë shpenzojnë mbi 1 milion euro në fushatë, përdorin gjuhë që nxit urrejtje

Prishtinë | 28 Sht 2019 | 12:53 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Demokracia në Veprim (DnV) gjatë treditëshit të parë të fushatës zgjedhore, janë vëzhguar gjithsej 217 aktivitete të subjekteve politike, raporton Ekonomia Online.

Trendi i tubimeve publike ka vazhduar përgjatë tre ditëve të fushatës, si një metodë që partitë politike kanë zgjedhur për të përçuar mesazhet e tyre ndaj një publiku më të madh.

Gjithsesi nuk kanë munguar as format e tjera të bërjes fushatë, ku subjektet politike kanë organizuar vizita derë më derë në 11 raste, kanë mbajtur takime me grupe të shënjestruara në 13 raste, si dhe kanë vendosur shtande në hapësira publike në 8 raste.

Numerikisht aktivitetet zgjedhore të organizuara nga subjekteve politike në tre ditët e para janë si në vijim: PDK-70 aktivitete, LDK-33 aktivitete, LVV-35 aktivitete, Koalicioni AAK-PSD -25 aktivitete, Lista Serbe-20 aktivitete, Koalicioni Nisma-AKR-PD -19 aktivitete, dhe 15 aktivitete janë organizuar nga subjekte të tjera.

Në tre ditë të fushatës, është shënuar një rritje e pjesëmarrjes së fëmijëve me afërsisht 730 fëmijë, që kanë marrur pjesë në aktivitetet e subjekteve politike. Pjesëmarrja e tyre është vënë re në 56 aktivitete zgjedhore dhe në 13 raste ka qenë e organizuar.

Infrastruktura për qasjen së personave me aftësi të kufizuara nuk është ofruar në rreth 33% të aktiviteteve të monitoruara nga DnV, ndërsa kanë marr pjesë rreth 74 persona me aftësi të kufizuara. Nuk vihet re ndryshim i theksuar nga dita e parë e fushatës në ditën e tret, trendi i të pranishëmve dhe i hapësirave që ju lejojnë qasjen për pjesëmarrje.

Subjektet politike në tre ditët e para të fushatës kanë përdorur gjuhë që nxit për urrejtje dhe gjuhë fyese, kundër subjekteve të tjera politike të cilat garojnë në këto zgjedhje. Në disa takime fjalët ‘hajn, njeri i ligë, njeri i territ, ka vjedhur, kriminel etj’ janë përdorur për të akuzuar njëri-tjetrin. Kryesisht gjuha nxitëse që çon në urrejtje ka bazë politikeNë aktivitetet zgjedhore të monitoruara në 11 raste mesazhet e dhëna gjatë aktivitetit kanë përmbajtur gjuhë që nxit urrejtje në baza politike.

Në aktivitetet e organizuara nga Koalicioni Nisma-AKR-PD është vënë re përçimi i mesazheve me gjuhë nxitëse me karakter politik në 1 aktivitet (në Prizren),  LVV në 2 aktivitete (Prizren), LDK në 3 raste (2 raste ne Gjilan dhe 1 rast në Lipjan), PDK në 1 rast në Lipjan dhe Hanë të Elezit, Koalicioni AAK-PSD në 1 rast në Deçan subjekte të tjera (Në Grançanicë dhe Ranillugë).

Shfrytëzimi i resurseve publike ka shënuar rritje nga dita e parë e fushatës zgjedhore sipas aktiviteteve të monitoruara nga DnV, ku në 20 raste kishte përdorim të 50 veturave zyrtare dhe 40 raste pjesëmarrje të shërbyesve civil.

Në aktivitetet e Listës Serbe në Graçanicë në 3 raste është vënë re përdorim i veturës zyrtare dhe në 2 organizime  tjera të subjekteve politike serbe është vërejt përdorimi i veturave zyrtare dhe atë nga 1 rast në në Ranillug dhe Shtërpce. PDK në 3 raste në Shtime dhe 1 në Shtërpce, Nisma-AKR-PD në 2 raste në Mitrovicë të Jugut dhe me nga 1 në Vushtrri dhe Shtime, LDK në 2 raste në Viti, Koalicioni AAK-PSD-PD në 3 raste në Klinë dhe 1 rast në Junik, LVV në 1 rast në Vushtrri kanë përdorur ka përdorur veturë zyrtare.

Po ashtu, është vënë re prani e shërbyesve civil në aktivitetet e organizuara nga PDK në 18 raste nga 1 rast në Mitrovicën e Jugut, Hanë të Elezit dhe në Dragash, 4 raste në Shtime, 3 raste në Lipjan dhe Skenderaj, 5 raste në Ferizaj, LDK në 6 raste: Gjilan, Podujevë, Viti, Prizren, Lipjan dhe Klinë, NISMA-AKR-PD 2 raste në Mitrovicë e Jugut, LVV në 3 raste, 2 raste në Mitrovicën e Jugut dhe 1 rast në Vushtrri, AAK-PSD-PD në 7 raste, në 3 raste në Klinë, 2 raste në Gjakovë dhe nga 1 rast në Pejë e Ferizaj, 3 raste nga Lista Serbe në Graçanicë dhe 1 rast tjetër në Shtërpce nga një subjekt tjetër politik.

Edukimi i votuesve është një ndër elementët që u evidentua në 36% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara nga DnV pothuajse nga të gjithë subjektet politike.

Pjesëmarrja e ulët e grave në aktivitete zgjedhore ka përcjellur të gjitha proceset zgjedhore në Kosovë pavarësisht preorgativave ligjore dhe kushtetuese të cilat garantojnë barazi gjinore.

Në aktivitetet zgjedhore që u monitoruan nga DnV në total folës ishin 798 persona  prej të cilëve raporti gjinor i pabarabartë në mes grave dhe burrave mbetet i njëjtë që nga dita e parë. Në tre ditë të fushatës zgjedhore folës ishin 77% ishin burra dhe 23% gra. Ndërsa në 2 raste, folës kanë qenë personat me aftësi të kufizuara përkatësisht në Malisheve në aktivitete të ndara të koalicionit NISMA-AKR-PD dhe LDK.

Në përgjithësi, atmosfera në të cilën aktivitetet zgjedhore janë zhvilluar ka qenë e qetë. Përveç një rasti në Prizren kur para fillimit të tubimit elektoral të PDK-së, zyrtarët e saj në mes vete janë përleshur. Me intervenimin e sigurimit, çështja është zgjidhur dhe aktiviteti më pas ka vazhduar i qetë. Ndërsa nga Komuna e Deçanit është raportuar se në 2 raste janë hequr apo dëmtuar billbordet e LVV-së.

Në shumicën e rasteve të monitoruara Policia e Kosovës është përkujdesur për sigurimin e aktiviteteve zgjedhore.

Mediat nuk kanë qenë të pranishme në 133 aktiviteteve zgjedhore të monitoruara në nivel vendi, ndërsa në aktivitet në të cilat kanë marr pjesë nuk janë penguar të raportojnë lirshëm.

Koalicioni DnV në tre ditët e fushatës zgjedhore ka parashtruar para PZAP-së 6 ankesa kundër subjekteve politike për vendosje të posterëve apo pankartave në hapësira publike si dhe një rast e ka paraqitur kundër Listës Serbe për spotin publicitar, i cili ka bërë presion ndaj votuesve për të votuar subjektin e caktuar politik. PZAP deri tani ka kthyer 3 vendime pozitive ku subjektet janë gjobitur me 36 mijë euro.

Gjatë aktiviteteve të subjekteve politike për tri ditët e fushatës, është raportuar për përdorim të artikujve të ndryshëm (bina, zërim, ushqim, pije, ndriçim dhe laserë, karrige, moderator, LED, mjete piroteknike, shtande, dhe fotograf), materialeve promovuese, performanca artistike si dhe mjete të transportit.

Duke i kalkuluar me çmimet mesatare të tregut për secilin artikull/shërbim, subjektet politike për këtë periudhë  kanë shpenzuar rreth 1 milion e 64 mijë euro për organizimin e aktiviteteve në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Sa i përket monitorimit të mediave, kur është fjala për kronikat e televizioneve të dhënat për dy ditët e para të fushatës, tregojnë që më së shumti mbulueshmëri  ka pasur PDK me 38 minuta, pastaj VV me 36 min, LDK me 33 min, AAK me 25, PEK me 9, Fjala me 10, Lista serbe 25, SLS 8 minuta dhe koalicioni Slloboda me 8 minuta.

Kurse sa i përket  minutazhës së spoteve reklamuese të subjekteve politike dhe kandidatëve të transmetuara në TV, të dhënat e monitorimit tregojnë se prinë koalcioni AAK-PSD me 86 minuta, PDK me 42, LDK me 25, NISMA-AKR me 14, Lista Serbe me 6.45 min.

Nga monitorimi i transmetimeve direkte “ livestream” përmes Facebookut të portaleve, prinë Koalicioni Nisma – AKR që ka 261 minuta ‘livestream’ nga vetëm 3 portale, PDK ka 213 minuta nga 6 portale, AAK-PSD me 202 min, LDK me 163 min kurse VV dhe të tjerat nuk kanë.  


https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/433396814188224/

Të ngjashme